Ashtu si çdo të premte, Presidenti Ilir Meta ka dalë në një konferencë për shtyp për të folur për zhvillimet e javës.
Duke u ndalur tek Komisioni i Venecias dhe vendimit që pritet të merret sa i takon Gjykatës Kushtetuese, Meta tha se nuk pret të dëgjojë konkluzionet e “Venecias” për të qenë i ndërgjegjshëm për aktet e tij.
“Asnjëherë nuk kam pritur verdiktin e Venecias për aktet që unë kam kryer si President, sepse kam respektuar Kushtetutën dhe ju e dini që Kushtetuta është bërë sipas rekomandimeve të Venecias. Kështu që nuk pres të dëgjoj konkluzionet e Venecias për të qenë i ndërgjegjshëm për aktet e mia, kam qenë shumë i ndërgjegjshëm për këtë gjë, shpresoj që Venecia të ruaj integritetin e saj”.
Reforma Zgjedhore
Sa i takon Reformës Zgjedhore dhe marrëveshje së arritur mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare, Meta, pavarësisht që mendon se lë për të dëshiruar, i ka dërguar një mesazh të qartë palëve të dakordësuara, për t’i qëndruar asaj marrëveshjeje që kanë nënshkruar.
“Duhet urgjentisht të përmbushen kushtet që vendi të ketë një mundësi reale, të hedhë hapa pozitive përpara. Përndryshe me metodologjinë e re të miratuar nga BE rrezikojmë të kthehemi pas në drejtim të integrimit, që do të ishte një dënim i pamerituar për popullin shqiptar. Shpresoj që të ketë reflektim, përgjegjshmëri dhe të ecet sa më shpejt në këtë drejtim… Nuk dua të paragjykoj se çfarë do të bëjë një palë apo tjetra, uroj t’i qëndrojnë marrëveshjes që kanë nënshkruar e cila padyshim që mund të lërë mjaft për të dëshiruar në përmbajtjen e saj, por ne e dimë që jemi në një fazë të mosbesimit dhe të problemeve serioze të legjitimitetit të institucioneve, në radhë të parë Kuvendit, por është koha për të kuptuar seriozisht shqetësimet që vijnë nga partnerët tanë europianë, të cilët kanë bërë përpjekjet më të mëdha për ta lënë derën të hapur për Shqipërinë. Por në rast se mbyllet, gjithë shqiptarët do ta kenë të qartë se kush e ka përgjegjësinë… Shpresoj të këtë reflektim të shpejt dhe të ecim drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.