Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në Itali, ku protagonist fatkeq ka qenë ish-piloti i Formula 1 dhe i Formulës CART, Alex Zanardi. Ish-piloti, i cili pas një aksidenti në 2001 ka humbur të dy këmbët, po stërvitej me një biçikletë speciale me të cilën ka fituar medalje në Lojërat Paraolimpike të Londrës, kur është përplasur me një kamion.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të qytetit të Sienës, në Toskanë, teksa Zanardi po merrte pjesë në një garë ku marrin pjesë atletët paraolimpikë. Gjendja e pilotit sipas informacioneve është shumë e rëndë, me trauma të shumta.
Për shumë të apasionuar të automobilizmit dhe sporteve të shpejtësisë me dy apo katër rrota, por edhe për opinionin publik në përgjithësi, italiani Alex Zanardi është një shembull i kurajës.
Pas aksidentit që i kushtoi këmbët dhe një fizioterapi të rreptë, vetëm pas 2 vitesh italiani arriti të merrte pjesë sërish në gara automobilistike, me mjetet e BMW, ku ende vazhdonte të merrte pjesë në gara të ndryshme.
Krahas, automobilizmit, Zanardi ishte shndërruar në një simbol të atletëve me aftësi të kufizuar, ku kishte triumfuar disa herë në disiplinën e biçikletës me dorë në Lojërat Paraolimpike.
E gjithë Italia i ka çuar mesazhe sensibilizimi, ndërsa është në ankth për jetën e tij.