Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një letre dërguar Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie propozon shkarkimin e Vjosa Osmanit nga posti i nënkryetares së LDK dhe zgjedhjen në vend të saj të Advullah Hotit.
Mustafa e arsyeton propozimin duke iu referuar Statutit të LDK-së, ku në nenin 14 pika 14.2 thuhet “anëtarët e LDK-se nuk mund të jenë në pozita, organe dhe forume të LDK-se, nëse ata publikisht refuzojnë dhe i mohojnë vendimet e organeve dhe forumeve, anëtarë të të cilëve janë”.
Duke ju referuar këtij neni, Mustafa sqaron se si Osmani ka rënë ndesh me statutin e partisë, duke thënë që kjo Qeveri nuk është e LDK-së.
Ai përmend edhe refuzimin e Osmanit si kryetare e kuvendit për të drejtuar seancën në të cilën u zgjodh Qeveria Hoti.
Vendimi vjen pas një serie përplasjesh që kryetarja e Kuvendit të Kosovës ka pasur brenda partisë së saj, pas vendimit për mocion mosbesimi ndaj qeverisë Kurti e më tej me mosvotimin prej saj të qeverisë së re të Avdullah Hotit.
Në letrën dërguar të vetëve, kreu i LDK kërkon që anëtarët të votojnë brenda orës 19:00 për të shkarkuar Vjosa Osmanin e për të zgjedhur në vend të saj Hotin.
Një ditë pasi Kuvendi i Kosovës votoi me 61 vota qeverinë e re të kryesuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkryetarja e LDK u bë sërish lajm pasi nuk i dha fjalën kryeministrit në Kuvend.
Me të përfunduar fjalën kreu i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, kryeministri Hoti ngriti dorën për të marrë fjalën, por kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani ia kaloi fjalën deputetes së LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.