Kryesore Shtimi i rasteve me koronavirus, Pipero: Mbani maskë, ndryshe Europa do na...

Shtimi i rasteve me koronavirus, Pipero: Mbani maskë, ndryshe Europa do na mbyllë kufijtë

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me përkeqësimin e situatës në vend për shkak të pandemisë së koronavirusit, ku prej disa ditësh raportohen raste të larta personash të rinj të infektuar me virusin.

Mjeku Pipero iu bën edhe njëherë thirrje qytetarëve të zbatojnë masat anti-Covid, pasi pandemia ende nuk ka mbaruar dhe asnjë gjë nuk duhet të neglizhohet pasi nesër mund të jetë vonë.

Postimi i Pëllumb Piperos:

Nuk dua t’ju zgjoj, por zgjohuni me një mesazh nga unë/dhe ne, të pa gjumit!

Është trishtuese të dëgjosh se Shqipërisë i mbyllen kufijtë, është edhe më trishtuese të dëgjosh se sot, disa muaj mbas fillimit të epidemisë, në spitalin Covid 1, shtrohen mbi 20 të sëmurë, shumë më shumë se sa u shtruan në një ditë, në fillim të kësaj epidemie në vendin tonë.

Dhe pse vallë?!

Mos virusi u zhduk! Mos vallë pandemia mbaroi! Mos vallë virusi nuk qarkullon më mes nesh dhe me ne çdo ditë, orë e minutë!

Mos vallë shkenca zbuloi një vaksinë?!

Mos vallë ne mjekët kemi në dorë një medikament kundër këtij virusi ende vrasës?

JO.

Virusi është ende midis nesh!

Ne ende nuk kemi një vaksinë!

Ne ende nuk kemi një ilaç ndaj tij!

Po si dhe me çfarë mund ta luftojmë?!

Vetëm me një armë!

Me distancë dhe me Maskë!

Ndaj sot, në fillim të kësaj dite të re, po ju lutem:

Ruani distancën dhe mbani maskën!

Ndryshe do na ktheni shumë mbrapa në kohë, edhe pse të hapur brenda nesh, do jemi të mbyllur për Europën!

Ju lutem më dëgjoni SOT,

Nesër është shumë vonë!

Qeveria nuk ka asgjë në dorë!

Gjithçka është në duart tona!

Ju lutem më dëgjoni mua! Mos dëgjoni politikanët sot! Dëgjoni specialistët!

Maska dhe distanca!

Vetëm kaq mjafton!

Kaq pak, për të përfituar më shumë liri në pandemi, më shumë ekonomi në pandemi, më shumë argëtim në pandemi, dhe aspak izolim me botën që po hapet çdo ditë!

Na i hiqni kufijtë, duke i vënë kufi virusit, thjesht dhe vetëm me një maskë dhe distancë!