Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi akuzoi kryeministrin Rama se është kërcënimi kryesor që Shqipëria të mos përmbushë kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim.
Sipas Vokshit, Edi Rama po kërkon të kapë Autoritetin e Medias Audiovizive dhe Këshillin Mbikëqyrës të Radio Televizionit Shqiptar megjithëse i është kërkuar rishikimi i paketës ligjore të censurës për median online.
“Edi Rama po bën një lojë të dyfishtë dhe të rrezikshme për lirinë e medias. Nga njëra anë bën sikur është i kënaqur nga vendimi i Komisionit të Venecias, që rrëzoi ligjin e tij të censurës, nga ana tjetër vazhdon të mbajë në një garë formale vartësit e tij dhe të Erion Veliajt për kreun e AMA-s.
Synon që, në kundërshtim me ligjin dhe me forcën e kartonave në Kuvend, të emërojë në krye të Autoritetit të Medias, Maklen Mishën, një individ thellësisht politik, siç emëroi në krye të institucionit për komunikimet elektronike, shefin e tij të protokollit.
Maklen Misha, themelues i partisë G99 me Erion Veliajn, shkrues i fjalimeve të Edi Ramës,, është projektuar të zërë vendin e lënë bosh nga i ati dhe të marrë drejtimin e AMA-s. Edhe 3 pseudokandidatët e tjerë, që mbushin garën formale, janë rrogëtarë të Edi Ramës dhe Erion Veliajt”, deklaroi Vokshi.