Steve White, 56 vjeç, u shtrua në spital më 19 mars, katër ditë pasi kishte rezultuar pozitiv me koronavirus. Gjendja e tij u rëndua dhe mjekët thanë se ai ka vetëm një përqind shanse të mbijetojë, por pas një betejë prej 92 ditësh në spital, babai i dy fëmijët është rikthyer në shtëpinë e tij në Herefordshire, Angli, shkruan “Mirror”.
Në mes të muajit prill, mjekët i thanë familjarëve të 56-vjeçarit se shanset ishin shumë të pakta që ai të mposhtte koronavirusin. Por fëmijët e tij iu lutën mjekëve që ta mbanin babanë e tyre edhe për disa ditë në respirator.
“Ata kurrë nuk më braktisën. Unë u kam borxh jetën time fëmijëve dhe mjekëve. I gjithë stafi i spitalit më quajti një hero, por ata janë heronjtë e vërtetë. Ishin ata që më mbajtën gjallë”, është shprehur 56-vjeçari, i cili është personi që ka qëndruar më gjatë në spital në Britani, i prekur me koronavirus.
Steve White qëndroi për 63 ditë në kujdesin intensiv, ku qëndroi në jetë nga një respirator. Ai nuk kujton shumë nga koha e tij në spital, ndërsa e përshkroi përvojën e tij si të frikshme edhe pse nuk ia kishte idenë se çfarë po ndodhte.
“Dua t’u jap shpresë personave të tjerë të sëmurë me Covid-19 dhe familjeve të tyre. Kurrë mos u dorëzoni”, është shprehur Steve White pasi u rikthye në shtëpi.