Shtypi sportiv katalanas është treguar shumë polemik ditën e sotme, pas fitores së Real Madrid në transfertën ndaj Real Sociedad (1-2), mbrëmjen e djeshme.
“Mundo Deportivo” ka zgjedhur të përdorë ironinë në titullin kryesor: “Made in Madrid”, ndërsa “Sport” ka titull kryesor “Kryesues të VAR-it”.
Sipas këtyre gazetave, faulli mbi Viniciusin që u konsiderua penallti nga arbitri është i diskutueshëm, goli i Januzajt duhej konsideruar i rregullt pasi portieri kishte pamje të goditjes, ndërsa Benzema ndihmohet nga krahu për të shënuar golin e dytë të Realit.
Edhe faqja e internetit “La Vanguardia”, në seksionin e saj të sportit shkruan: “Reali merr kryesimin plot dyshime. Goli i parë u shënua pas një penalltie të rishikuar në VAR, u anulua goli i barazimit të Januzajt dhe u konsiderua i rregullt goli i dytë, pavarësisht se erdhi pas një kontrolli me krah të Benzema”.