Romelu Lukaku lëshoi një “klithmë” miqësore ndaj shokëve të tij të skuadrës, pas fitores 2-1 të së dielës ndaj Sampdoria. Të dy, Lukaku dhe Lautaro Martinez shënuan në “San Siro”, ndërsa Interi bëri autokritikë pas humbjes me Napolin në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Sidoqoftë, fitorja e parë e zikaltërve, pas rifillimit të kampionatit, i lë ata në vendin e tretë, mbas Juventusit dhe Lazio, kur kanë mbetur të luhen edhe 12 ndeshje.
“Ishte shumë e rëndësishme fitorja, pasi tani e deri në fund të kampionatit mbeten 12 finale. Të gjitha janë ndeshje për jetë a vdekje, – tha Lukaku për “Sky Sport Italia”, duke menduar tashmë për sfidën e së mërkurës me Sassuolo. – Tani duhet të përqendrohemi te sfida e radhës. Çdo ndeshje është e vështirë, nuk ka detyra të lehta për askënd. Ne kemi punuar vërtet mirë në stërvitje, skuadra është në gjendje optimale fizike, por duhet të forcohemi edhe më shumë, sepse do të luajmë një ndeshje çdo tri ditë”.
18 gola
“Rrjeta” hapëse e ndeshjes, e minutës së 10-të, e ngriti Lukakun në kuotën e 18 golave në sezonin e tij të parë në Serie A. Ky total golash nuk realizohej që nga viti 1990, përjashto vetëm Ruben Sosa, Ronaldo dhe Diego Milito, në sezonet e tyre debutuese me Interin.
Irritimi i Contes
Sidoqoftë, ai ishte fajtor për shpërdorimin e dy mundësive të tjera, ndaj Conte ishte i irrituar që skuadra e tij nuk e mbylli ndeshjen më herët: “Unë jam i kënaqur me atë që bënë djemtë, por nëse duam të bëjmë diçka të jashtëzakonshme, duhet të jemi edhe më cinikë. Unë gjithmonë them se duhet ta vrasim kundërshtarin.
Madje edhe ndaj Napolit në Kupën e Italisë kemi luajtur mirë, kemi krijuar shumë, por barazuam 1-1 dhe shkuam në shtëpi. Duhet të jemi të vendosur dhe cinikë. Ne nuk kemi më asnjë hapësirë që të bëjmë gabime nga këtu deri në fund. Nëse duam të jemi protagonistë, duhet të futemi në fushë dhe ta vrasim kundërshtarin, duke përfituar nga mundësitë e krijuara”.