Politika A u rrëzua paktin detar me Greqinë pas ndërhyrjes turke? Flet Edit...

A u rrëzua paktin detar me Greqinë pas ndërhyrjes turke? Flet Edit Harxhi

Mbyllja e marrëveshjes detare mes Greqisë dhe Italisë ka shtuar zërat për diçka të ngjashme mes vendit tonë dhe shtetit fqinj të Greqisë. Një çështje  që në Shqipëri kaloi pa shumë vëmendje, por në një intervistë me ‘skype’ për ‘TvT’ Edit Harxhi, ish-zv.ministre e Jashtme, e cila ndodhet në Turqi, komentoi një çështje të shumëdiskutuar nisur nga një lajm i gazetës turke ‘Haberturk’. Në të thuhej se ish-admirali Cihat Yayci, deklaron se marrëveshja detare e 2009 mes Shqipërisë dhe Greqisë u anulua me kërkesë apo sinjalizim të palës turke.

Për këtë Harxhi shprehet: “Është shumë e thjeshtë që pas një periudhe kohe, persona që kanë marrë pjesë më para në një procedurë të tillë dhe janë pensionuar të shkruajnë e të japin opinione dhe të tregojnë edhe fate, por edhe të aludojnë. Mendoj se edhe çështja e admiralit turk është kështu. Admirali për të cilin ne flasim ka qenë një drejtues i lartë në shtetin turk. Dua të theksoj se marrëveshja e 2009 ishte për delimitimin e ujërave detare.

Personalisht e kam takuar admiralin, nuk ma ka shprehur këtë gjë dhe unë nuk di që të ketë patur një ndërhyrje nga dikush tjetër në marrëveshjen e 2009, por unë mendoj se ishte më e mirë se draft marrëveshja gjatë kohës që u bë nga Bushati, sepse respektonte 150 pikat dhe kishte statusin e zonës ekonomike. Gjithsesi, atë e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese. Marrëveshje të tilla janë marrëveshje që ndodhin në momente të caktuara.”

E pyetur nëse e hedh poshtë deklaratën e admiralit turk, Harxhi përgjigjet: “Unë nuk kam njohuri për një material të tillë dhe nuk di të ketë patur një ndërhyrje.”

Në të kaluarën ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë akuza të forta në parlament duke deklaruar se “ka patur ryshfete nga të huajt për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar marrëveshjen e 2009”. E pyetur nëse Berisha ka dashur të akuzojë pikërisht Ankaranë apo segmente të caktuara të politikës turke, Harxhi shprehet: “Berisha ka qenë kryeministër dhe ka patur informacione të klasifikuara.”

Harxhi ishte më shteruese kur u pyet se si ka qenë pozicioni i Partisë Demokratike në këtë çështje.

“Ne në atë kohë kemi qenë në maxhorancë. Ishte një marrëveshje mirëkuptimi me Greqinë. Të bësh një marrëveshje, dhe një marrëveshje kufijsh, duhet të ketë një mirëkuptim. Natyrisht që PD e përkrahu shumë sepse ishte punë voluminoze e një grupi ekspertësh që punuan prej 1 viti e gjysmë. Hartografistë, ekspertë, gjeneralë, admiralë, njerëz të cilët kanë marrë pjesë edhe në marrëveshje të mëparshme. Pra kanë patur një eksperiencë në këtë fushë.

Nëse ajo marrëveshje do të kishte kaluar ne do të ishim një hap para në marrëdhëniet me Greqinë. Politizimi i kësaj çështje u bë nga Edi Rama dhe parti të vogla të cilat menduan se do të përfitonin terren politik. Pra kjo u politizua. Natyrisht PD respektoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo marrëveshje do të duhet të bëhet shumë shpejt se ka mbetur pezull dhe Shqipëria është afër BE-së. Më herët i kishim  marrëdhëniet të tendosura me Greqinë, ndryshe nga tani.

Është një nga 15 kushtet e Parlamentit Europian për hapjen e negociatave, ndërkohë që dy kushte të tjera thelbësore janë çështja e pronave të minoritetit grek në Shqipëri dhe përgatitja e ligjit të censusit ku në 2011 pakicat greke nuk morën pjesë për faktin se aty duhet të deklarohej grek dhe minoritar. Kjo nuk do pushojë, Greqia shumë shpejt mund të kërkojë delimitimin e ujërave.

Çështja e 2009 mund të dërgohet në Hagë, në gjykatën e detit në Hamburg dhe ndoshta të shihej në një dritë tjetër dhe ne të mos humbim kohë për të nisur sërish të njëjtën kakofoni zërash dhe shqiptarët të thonë kanë shitur detin dhe tokat.”