Bruce Beutler, i cili ka marrë çmimin Nobel për Mjekësinë ne vitin 2011, thotë se nuk do të ketë një valë të dytë koronavirusi.
“Në shumicën e vendeve evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, duket se numri i rasteve të reja dhe shkalla e vdekshmërisë po vijnë duke u zvogëluar gradualisht, edhe pse njerëzit filluan të dalin sërish, të kthehen në punë dhe të bashkëveprojnë më shumë. Së bashku me izolimin, ndryshimet në sjellje (distanca sociale, përdorimi i maskave) duket se kanë pasur efekte mbrojtëse. Popullsia nuk është aq e ndjeshme sa në fillim, kur asnjë nga këto masa nuk ishte marrë. Kjo është e vërtetë, megjithëse aktualisht vetëm një përqindje e vogël e popullsisë është infektuar. Por e gjithë kjo më shtyn të mendoj se nuk do të ketë valë të dytë”, është shprehur ai për mediat italiane.
Beutler, aktualisht drejtor pranë Qendrës Mjekësore Jugperëndimore në Dallas (SHBA) e fitoi Nobelin e Mjekësisë falë punës së tij në qelizat dendritike, me të cilat kontribuoi në zbulimin e disa prej sekreteve më të rëndësishme të mënyrës tek të cilat trupi ynë mbron veten nga sulmet e jashtme përmes sistemit imunitar.
Sipas tij, megjithatë, “të gjitha masat themelore të parandalimit që kemi zbatuar nuk do të jenë të mjaftueshme për të eliminuar plotësisht virusin, dhe jeta e përditshme për të gjithë sigurisht që do të mbetet më e pakëndshme se më parë: ka shumë të ngjarë që vetëm një vaksinë efektive të jetë në gjendje për ta mposhtur plotësisht pandeminë”.
Por mund të ketë një vaksinë? “Ndoshta vitin e ardhshëm”, thotë imunologu, megjithëse nuk mund të ketë siguri në lidhje me jetëgjatësinë e efektivitetit të saj apo sasinë që do të jetë në dispozicion.
Sa i përket mundësisë që kanë asimptomatikët për të transmetuar virusin te të tjerët, Beutler është i bindur që ata mund të infektojnë edhe pse “një person asimptomatik është ndoshta më pak infektiv sesa një simptomatik”.
A ekziston mundësia e një dëmi afatgjatë për pacientët që shërohen nga infeksioni? “Në rastet e të prekurve rëndë që i mbijetojnë infeksionit, dëmtimi i mushkërive mund të jetë i përhershëm”.