Bota Muzeu në New York heq nga hyrja statujën e Roosevelt-it. Trump: Qesharake,...

Muzeu në New York heq nga hyrja statujën e Roosevelt-it. Trump: Qesharake, mos e bëni

Muzeu Amerikan i Historisë Natyrore do të heqë nga hyrja e tij statujën e Theodore Roosevelt, pas shumë vitesh kundërshtimesh se ai simbolizon zgjerimin kolonial dhe diskriminimin racor.

Lajmi u konfirmua ditën e diel nga kryetari Bill de Blasio.

Statuja prej bronzi që ka qëndruar në hyrje të muzeut në Central Park West që nga viti 1940, tregon Roosevelt-in me kale, afër të cilit qëndrojnë në këmbë një amerikan vendas dhe një afrikan.

“Muzeu Amerikan i Historisë Natyrore ka kërkuar të heqë statujën e Theodore Roosevelt sepse ajo përshkruan njerëzit e zinj dhe indigjenë si të nënshtruar dhe inferiorë”- tha de Blasio në një deklaratë.

Presidentja e muzeut, Ellen Futter, tha për “New York Times” se komuniteti i muzeut është prekur thellësisht nga lëvizja për drejtësi racore që është shfaqur pas vrasjes së George Floyd.

Zyrtarët thanë se nuk është përcaktuar ende se kur do të hiqet statuja e Roosevelt-it dhe se ku do ta çojnë atë.

Pas këtyre lajmeve, presidenti amerikan Donald Trump e kritikoi vendimin. “Qesharake, mos e bëni”- shkruan ai në Twitter.