Vendimi për masën e sigurisë ndaj Viktor Markut u shty për ditën e nesërme. Marku akuzohet nga policia si personi që kreu atentatin ndaj Hekuran Billës, mbrëmjen e 11 Qershorit në Tiranë. Gjatë hetimit në polici, ai ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, duke u justifikuar me faktin se ka qenë në Mal të Zi gjatë gjithë kësaj kohe. Të njëjtën gjë tha edhe avokati i tij mbrojtës, Ilir Murati.
Megjithatë organi i akuzës ka në dorë fakte që vërtetojnë të kundërtën, një pjesë e të cilave disponohen nga Klan Plus. Bëhet fjalë për lëvizjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë, nga mesdita e deri në orën 21:47 minuta, nga ana e autorit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Ngjarjet zhvillohen mes zonës së Astirit, Unazës së Madhe dhe Komunës së Parisit. Janë këto tre vende ku nga zbërthimi i kamerave të sigurisë, dalin të paktën 3 persona dhe 3 automjete, që u përdorën në përgatitjen dhe qëllimin e shënjestrës.
Automjeti i parë që del në skenë është një Smart, i cili rreth orës 12:27 minuta të datës 11 Qershor, hyn në një nga lagjet e Astirit dhe pikërisht në këtë moment, siç thuhet në dosje: Nga dera e parë majtas e automjetit Smart me targë AA803UK, zbret një person në dukje i gjatë, i veshur me të zeza, i cili vazhdon lëvizjen nga pjesa e pasme e makinës dhe nga ky moment humbet nga shikueshmëria e kameras.
Pas makinës Smart vjen një automjet Mercedez Benz dhe nga ky i fundit zbret i njëjti person që zbriti nga automjeti Smart, brenda të cilit duket të ketë edhe një person të dytë. Pikërisht kjo makinë ka qenë ajo që ka çuar edhe në identifikimin e Viktor Markut. Automjeti ishte marrë me qira dhe ka qenë pronari ai që ka dëshmuar se makina e tij është marrë nga një person i quajtur Viktor Marku.
Momentet e tjera ku janë fiksuar makinat është në rrugën tek mbikalimi i Kopshtit Zoologjik, sërish duke ndjekur njëra-tjetrën. Në orën 21:26 minuta, ata mbërrijnë para qendrës tregtare. Në orën 21:28, siç kanë fiksuar kamerat, personi, që tashmë është identifikuar si Sebastiano Mali, ka përdorur shumë telefonin e tij, që dukej se shkëmbente mesazhe me dikë.
Në orën 21:37 minuta, automjeti Nissan Micro pozicionohet në rrugën Prokop Mima dhe më pas, thuhet në dokument, Mali ka qëndruar në një vend që të ofron fushëpamje të plotë. 7 minuta më pas, përpara kompleksit vjen automjeti BMW që i përkiste Hekuran Billës.
Pikërisht në këto çaste automjeti tip Nissan Micro, niset në drejtim të qendrës, por bën një ndalim të menjëhershëm, pa u kuptuar ndonjë arsye. 2 minuta më vonë, automjeti tip Nissan shkon në drejtim të automjetit të shënjestrës, por me një shpejtësi të ulët.
Ndërsa automjeti tip Mercedes Benz vjen një minutë më pas dhe i afrohet BMW-së. Në kamera duket që automjeti Mercedes Benz ka qenë me një shpejtësi të lartë kur ka gjuajtur. Këto prova të nxjerra nga policia, e më pas të përpiluara edhe nga Prokuroria nuk dihet nëse do ta bindin Gjykatën që të mbajnë fillimisht Viktor Markun në burg deri në procesin gjyqësor që do të vendosë për fajësinë ose pafajësinë.
Burimi: Klan Plus