Bota Koreja e Jugut përballet me valën e dytë të epidemisë së koronavirusit

Koreja e Jugut përballet me valën e dytë të epidemisë së koronavirusit

Numri i rasteve të reja me Covid-19 në Korenë e Jugut po rritet përsëri dhe autoritetet po flasin për një valë të dytë.

Fillimisht, ata prisnin që një valë e dytë e infeksioneve të fillonte në vjeshtë ose dimër, tha drejtori i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (KCDC) Jeong Eun Kyeong në një konferencë për shtyp, sipas agjencisë kombëtare të lajmeve Yonhap.

“Parashikimi ynë doli të jetë i gabuar. Përqendrimi i valës së dytë është fillimisht në kryeqytet dhe zonën përreth. Pothuajse gjysma e afro 51.6 milionë banorëve jetojnë në zonën më të madhe të Seulit”.

Vlerësimi vjen pavarësisht nga fakti se autoritetet kishin raportuar më parë rritjen më të vogël në shkallë vendi të rasteve të reja në gati një muaj. 17 raste u shtuan të dielën.

Koreja e Jugut lehtësoi kufizimet në masat mbrojtëse kundër virusit në fillim të majit.

Kryetari i Komunës së Seulit paralajmëroi se kryeqyteti mund të duhet të kthehet në veçim të rreptë shoqëror, nëse shënohet një rritje mesatare prej 30 vetash në ditë.

Koreja e Jugut ka arritur të shmangë mbylljen e vendit dhe në vend të kësaj është mbështetur në masa vullnetare të veçimit shoqëror, gjurmimit të rasteve dhe një strategjie testimi për të luftuar virusin.

280 persona kanë humbur jetën si pasojë e virusit që kur vendi raportoi rastin e parë më 20 janar.

Gjithashtu, Koreja e Jugut ka shënuar gjithsej mbi 12 mijë persona të infektuar me Covid-19, si dhe mendohet se vendi ka aktualisht 1 mijë e 277 raste aktive në vend.