Tre persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër të hetimeve për zbardhjen e vrasjes së dyfishtë të ndodhur më 30 Maj në hollin e një hoteli në Kurbin.
Njëri nga të arrestuarit është 30-vjeçari Eduart L. nga Laçi. Nga burimet policore bëhet me dije se 30-vjeçari ishte paraqitur në një spital privat në kryeqytet, ku mjekohej ilegalisht pasi kishte plagë plumbi në këmbë që ishte infektuar. Një plagë e tillë e infektuar, tha një burim, bëhet 13 deri 21 ditë pasi personi është plagosur.
Policia kishte marrë informacion për 30-vjeçarin që kishte shkuar në spital për të mjekuar plagën e infektuar. Pas verifikimeve të hollësishme, uniformat blu të kryeqytetit arrestuan edhe dy mjekë, të cilët i ofruan ndihmë mjekësore të riut.
Mësohet gjithashtu se 30-vjeçari ishte prezantuar me identitet tjetër kur kishte shkuar në spital. Por nga hetimet, policia zbuloi identitetin e saktë të tij dhe ka dyshime se ai është personi që hapi zjarr me breshëri kallashnikovi ndaj dy viktimave Bujar Lika dhe Paulin Gjergji.
Kështu, deri më tani për këtë ngjarje mbahen të arrestuar 4 persona. I pari është Kreshnik Tusha, i cili u arrestua mbrëmjen e 30 Majit kur ndodhi vrasja pasi mbeti edhe vetë i plagosur. Ndërsa sot u vunë në pranga 30-vjeçari Eduart L. dhe dy mjekët V.M. 42 vjeç dhe B.L. 46 vjeç që i mjekuan plagën e infektuar dhe nuk njoftuan policinë. Mjekët akuzohen për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Burimet thonë gjithashtu se në kërkim janë shpallur edhe tre persona të tjerë, bashkëpunëtorë në vrasjen e dyfishtë.
Nga përplasja me armë mbrëmjen e 30 Majit në Kurbin mbetën të vrarë Bujar Lika dhe Paulin Gjergji.
Njoftimi i Policisë së Lezhës:
Identifikohen dhe shpallen në kërkim dhe tre bashkëpunëtorët në vrasje. Gjithashtu, gjatë operacionit janë vënë në pranga edhe dy mjekë që mjekonin ilegalisht autorin e vrasjes në një klinikë private në Tiranë.
Në vijim të punës profesionale dhe hetimore të bërë nga grupi i posaçëm hetimor, i ngritur me specialistë nga Drejtoria për Krimet Kundër Personit në Departamentin e Policisë Kriminale, specialistë të DVP Lezhë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, bazuar në informacionet e marra, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Klinika”. Në kuadër të operacionit u kap në një klinikë private në Tiranë, shtetasi E. L., 30 vjeç, banues në Laç, i cili gjatë kryerjes së krimit ku mbetën të vrarë shtetasit B. H.,37 vjeç dhe P. Gj.,53 vjeç, si dhe u plagos shtetasi K. T., 21 vjeç, pati shkëmbim zjarri dhe për pasojë u plagos në këmbë edhe ky shtetas, i cili po mjekohej ilegalisht në një klinikë private në Tiranë.
Po gjatë operacionit u vunë në pranga dy shtetas, mjekë në klinikën në të cilën mjekohej autori i vrasjes, konkretisht shtetasit V. M., 42 vjeç dhe B. L, 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për kapjen dhe prangosjen e tre bashkëpunëtorëve të shpallur në kërkim.