Rritja e rasteve të reja me koronavirus në Shqipëri po ndiqet me shqetësim edhe nga Federata e Mjekëve Shqiptarë, profesionistë këto që jetojnë dhe veprojnë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me anë të një deklarate të përbashkët për mediat, kjo federatë fton të gjithë aktorët në Shqipëri, por jo vetëm që të mos neglizhojnë rrezikshmërinë e COVID-19.
“Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë ndjek me interes dhe është e shqetësuar për situatën aktuale të përhapjes së COVID- 19 në Shqipëri dhe trevat shqiptare. Duke dashur të kontribuojë në ndërgjegjësimin e opinionit publik shqiptar, ju drejtohemi të gjithëve, qytetarëve dhe qeveritarëve, partive politike, organizmave publike e private, shtypit të shkruar dhe të folur, televizioneve publike e private, duke ju kërkuar të mos e nënvlerësojnë rëndësinë e situatës dhe rrezikshmërinë e përhapjes së virusit.
Federata e Mjekëve Shqiptarë për Europë u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që t’u kthehen rekomandimeve të OBSH, Instituteve te Shëndetit Publik, për mbajtjen e maskave, distancën dhe higjienën personale. Federata e Mjekëve Shqiptarë për Europë rekomandon që maska të bëhen element i domosdoshëm i lëvizjes së qytetarëve, sidomos në vendet e mbyllura dhe mosmbajtja e saj të sanksionohet me ligj”, thekson deklarata.
Ajo fton autoritetet shtetërore që të shtojnë numrin e testimeve, me qëllim që situata të vihet nën kontroll dhe të minimizohen pasojat sociale.
“Federata e Mjekëve Shqiptarë për Europë, rekomandon që të zbatohen pa humbur kohe protokollet e instituteve të shëndetit publik e të bëhet riorganizimi i çdo sektori ekonomik dhe social duke u përmbajtur parakushteve për parandalimin e virusit. Federata e Mjekëve Shqiptarë për Europë rekomandon që të shtohen testimet në popullatë dhe u të gjurmohen kontaktet e pacientëve pozitivë me Covid-19 në mënyrë që të izolohen e të shmanget përhapja e mëtejme, duke përdorur një strategji të hartuar mirë dhe duke i përfshirë të gjithë aktorët e shëndetit publik në gjurmimin e këtyre kontakteve.
Federata e Mjekëve Shqiptarë për Europë kërkon në mënyrë urgjente që të rishikohen masat shtetërore në mënyrë që të parandalohen kastastrofat në vendet shqiptare. Federata e Mjekëve Shqiptarë për Europë kërkon që të ketë mobilizim maksimal të personelit mjekësor për luftimin e COVID-19”, thuhet në reagim.
Teksa apelon për kujdes të shtuar tek bashkatdhetarët tanë, Federata e Mjekëve Shqiptarë thotë se, është e gatshme të ofrojë bashkëpunim dhe ekspertizë në përballimin e pandemisë.
“Federata e Mjekëve Shqiptarë për Europë është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj dhe ekspertizën e saj, në bashkëpunim me ekspertët shëndetësorë të vendeve shqiptare për hartimin e protokolleve që do të lehtësonin menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Sakrificat e bëra nga çdo qytetar dhe puna a palodhur e personelit shëndetësor shpëtuan me mijëra jetë njerëzish. Federatë e Mjekëve Shqiptarë i bën thirrje të gjithë bashkatdhetarëve të vazhdojnë të jenë të ndërgjegjshëm se rreziku nga Covid-19 është i pranishëm dhe real. Virusi qarkullon dhe kërcënon të gjitha liritë që kemi fituar. Rregullat duhet të vazhdojnë të respektohen”, përfundon deklarata.