Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë alokuar një grant prej pothuajse 800 000 dollarë të Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore, për restaurimin e fortifikimeve në Krujë, Durrës dhe Prezë, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ishin sot në Krujë ku u nënshkrua dhe marrëveshja për grantin 800 000 dollarë.
“Sot shënojmë fillimin e projektit për të restauruar sitet (vendet) kulturore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Krujë, Durrës dhe Prezë si pjesë e Projektit të Fondit të Ambasadorëve të Sh.B.A për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore (AFCP)”, u shpreh Kim.
“Që nga krijimi i tij në vitin 2001, Fondi i Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore ka ofruar mbështetje financiare për më shumë se 1000 projekte në mbi 125 vende të botës. Këto angazhime tregojnë se sa thellë Shteteve të Bashkuara respektojnë trashëgiminë kulturore të vendeve të tjera”, – tha Kim.
“Në Shqipëri, ne kemi punuar në projekte të shumta përmes këtij fondi, përfshirë restaurimin e Galerisë Nr. 3 të Kalasë në Gjirokastër, dokumentacionin e muzikës Iso-Polifonike shqiptare, si dhe ruajtjen e Kullës së Sahatit në Tiranë. Sot, po nënshkruajmë një grant prej afro 800 000 dollarësh për restaurimin e fortifikimeve në Krujë, Durrës, dhe Prezë. Jam e kënaqur të vërej se ky është projekti ynë më i madh i Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore në Shqipëri deri më sot. Dua të falënderoj Lejla Hadzic dhe ekipin e saj të “Trashëgimisë kulturore pa kufij”, ministren Margariti, Arta Dollanin dhe ekipin e saj të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, partnerët tanë në Fondin e Trashëgimisë Botërore dhe ekspertët vendas për pasionin dhe përkushtimin e tyre ndaj kësaj nisme. Dëshiroj të falënderoj gjithashtu Fondin e Princit Clause të Holandës dhe Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, për kontributet e tyre ndaj këtyre përpjekjeve të ruajtjes kulturore”, – u shpreh Kim.
Ajo bëri me dije se ky projekt dyvjeçar do të fillojë punën në Kullën C në Durrës, dhe më pas do të vazhdojë me punën në Teqenë e Dollmës këtu në Krujë, në Kalanë mesjetare të Prezës dhe në Kullën e Sahatit të Kështjellës së Krujës.
“Të gjitha këto vende kanë një vlerë të jashtëzakonshme kulturore dhe unë jam veçanërisht e lumtur që po e nënshkruaj këtë Memorandum Mirëkuptimi për zbatimin e këtyre granteve të AFCP-së këtu në Krujë, që është shtëpia e Skënderbeut, heroit kombëtar të Shqipërisë. Poeti amerikan Henry Wadsworth Longfellow dikur shkroi për kthimin e Skënderbeut në Krujë: Dhe me zemrën plot gëzim Kapërceu lumin Drin Dhe u-gdhi e n’agullim Pa kështjellën Ak-Hissar, Krujën, ah atë qytet Rreth me mur e me hendek, Tek u-lint e tek u-rrit, Yll mëngjezi mi të ndrit”, – tha Kim.
“Duke lexuar këto rreshta frymëzues për domethënien e Krujës, jam thellësisht e nderuar që Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol në ruajtjen e këtij vendi historik, i cili ka një kuptim kaq të thellë për popullin shqiptar. Ky projekt i ruajtjes së kulturës tregon vlerën që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë trashëgimisë së pasur të Shqipërisë dhe shpresa ime është që puna e përfunduar do të qëndrojë si një dëshmi për miqësinë e thellë midis dy popujve tanë”, – u shpreh ambasadorja Kim.
Duke falënderuar Ambasadoren, në emër të Qeverisë Shqiptare, ndër të tjera, ministrja e Kulturës, Margariti u shpreh se, “ruajtja e kujtesës është një nga misionet më të rëndësishme të njerëzimit, ndaj edhe Qeveria Shqiptare, krahas me rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti, duke u mbështetur tek vizioni për të ardhmen, për një jetë më të mirë, po punojmë për ringritjen e këtyre monumenteve”.
“Memorandumi që po nënshkruajmë sot është vetëm një copëz e atij projekti madhor që ne duam të çojmë përpara, që ka të bëjë jo vetëm me ruajtjen e kujtesës, por edhe me rijetëzimin e trashëgimisë sonë materiale dhe kthimin e saj në një motor zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm”, u shpreh Margariti.
Ajo shtoi se, “tashmë kemi disa shembuj të mirë, të cilët ne po punojmë për t’i replikuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si Pazari i Gjirokastrës, Pazari i Tiranës, i Korçës, i Krujës, realizuar në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe partnerë të tjerë. Janë dëshmi se si trashëgimia kulturore mund të kthehet në një faktor zhvillimi jo vetëm lokal, por kombëtar”.
“Jemi vetëm në një fazë të parë konsolidimi. Puna tashmë ka nisur në disa sektorë paralelisht, me mbështetjen e partnerëve tanë europianë, si në Kullën C në Durrës, këtu në Krujë ku jemi sot, dhe do të pasohet me hapa të tjera, që synojnë t’i japin jetë kësaj trashëgimie, e cila deri më tani është konsideruar si një aset vetëm për t’u ruajtur, dhe që ne duam ta kthejmë edhe në shërbim të komunitetit”, tha Margariti.
Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, ambasadorja Kim vizitoi Muzeun Historik Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, si dhe përshkoi Pazarin e Krujës, ku takoi disa nga artizanët, që mbajnë gjallë mjeshtëritë e punimit të qilimave, drurit, filigranit etj.