Autoritetet dhe ekspertët shëndetësore në Britani të Madhe kanë bërë thirrje për të rishikuar të gjitha masat në shtetin ishullor për të qenë të përgatitur për një valë të dytë të koronavirusit.
Përmes një letre të hapur, ministrat britanikë u paralajmëruan për masat që duhet të marrin për të shmangur humbjet e jetëve të tjera.
Ky shqetësim vjen pas njoftimit të Kryeministrit Boris Johnson, që deklaroi se nga 4 Korriku do të hapen baret, restorantet, kinematë dhe parukeritë. Sigurisht do të duhet të respektojnë masat e përcaktuara, të tilla si distancimi fizik 2 metra aty ku është e mundur, në të kundërt të respektohet 1 metër largësi. Megjithatë, rregulli për 2 metra distancim do të mbetet në fuqi për Skocinë, Uellsin dhe Irlandën Veriore.
“Teksa goditja e radhës së pandemisë në Mbretërinë e Bashkuar është e vështirë të parashikohet, provat tregojnë se lokalet janë gjithmonë potencial i mundshëm për një valë të dytë të Covid-19”, shkruhet në letrën e hapur të autoriteteve shëndetësore britanike.
Ata kërkojnë që masat të rishikohen në ato pika të dobëta të sistemit shëndetësor për të mos pasur humbje jete në të rast një vale të dytë të koronavirusit.
Pas këtyre paralajmërimeve, ka reaguar për BBC Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social, duke thënë se nuk beson që të ketë rrezik për një valë të dytë kulminante të infeksioneve.