Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një rritje shqetësuese të infektimeve me koronavirus. Paralajmërimi vjen nga goja e ekspertit më të lartë të sëmundjeve infektive në vend, mjekut Anthony Fauci. Një panel zyrtarësh të shëndetësisë, përfshirë Faucin, thanë se ditët në vijim do të jenë vendimtare për vënien nën kontroll të vatrave të reja.
“Javët në vazhdim do të jenë vendimtare sa i përket aftësisë sonë për të kontrolluar shpërthimet e reja që po shohim në Florida, Teksas, Arizona dhe shtete të tjera. Ato nuk janë të vetmet që po përballen me vështirësi”, deklaroi Fauci.
Numri i infektimeve ditore është rritur në më shumë se gjysmën e shteteve amerikane. Bashkë me Arizonën, edhe Nevada e Teksasi kanë prekur shirat më të larta të rasteve të shënuara në 24 orë. Gjithashtu Kalifornia, Karolina e Jugut, Utah Misisipi dhe luisiana po përballen me një shpërthim të ri të pandemisë. disa guvernatorë kanë thënë se mund të detyrohen të njoftojnë masa të reja kufizimi.
Por gjatë një tubimi në shtetin e Arizonës, Trump tha se koronavirusi po zhdukej. Autoritetet atje ndërkaq, paralajmërojnë se situata është kritike dhe se 80 përqind e shtretërve në spitale janë të zëna.
Katër ekspertët e lartë të shëndetësisë dëshmuan gjithashtu se nuk kishin marrë nga Trump udhëzimin për të reduktuar testimet. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha gjatë një tubimi në Oklahoma se i kishte kërkuar ekipit të tij të bëjnë më pak testime për të ruajtur të ulta shifrat zyrtare.
“Me sa di, askush nuk na ka thënë të ulim testimet. Madje në po mendojmë t’i rrisim”, u përgjigj Fauci. Ekspertët u thanë ligjvënësve se deri në vjeshtë presin që të kryejnë nga 40 deri në 50 milion teste në muaj. Rreth 2.3 milionë amerikanë janë infektuar me koronavirus deri më tani dhe të paktën 120 mijë kanë humbur jetën.