Heshtja që ra mbi yryshin e Barcelonës për të marrë Lautaro Martinez, kaq shumë i përfolur prej muajsh, ka një shpjegim të mundshëm, që lidhet me rregullin e ri të La Liga-s për të kufizuar shpenzimet e klubeve. Në këtë situatë të re dhe të vështirë financiare, duket e pamundur që Barça të shpenzojë 90 milionë euro të thata, sa Interi do për sulmuesin argjentinas (plus një lojtar si kompensim). Dy shitje të rëndësishme nga grupi aktual do të duhej të bëheshin prej klubit katalanas për t’i siguruar ato para. Tentativat katalanase për ta marrë Lautaro Martinez nuk do të sosin, me siguri, por ndërkohë Interi po planifikon ta “çimentojë” të ardhmen e argjentinasit në Milano. Edhe pse ka një kontratë që skadon më 2023, klubi nga “San Siro” do të duhet ta marrë përsëri në dorë “dosjen Toro”.
Trofe edhe në Milano
Lojtari në këto muaj thashethemesh rreth tij u tregua shumë profesionist. Ai kurrë nuk pati asnjë referencë mbi një shitje të mundshme, pavarësisht se mediat e shihnin përkrah Messit në “Camp Nou”. Interi do të duhet ta bindë që në fillim se edhe në Milano do të jetë në gjendje të fitojë gjëra të rëndësishme. Kjo nuk ka qenë asnjëherë sekondare për Lautaro Martinez. Ky proces tashmë ka filluar, është gjithashtu në duart e trajnerit dhe shokëve të tij. Faza finale e sezonit në Serie A dhe “Europa League” mund të vlejë më shumë se mjaft premtime. Ka pak dyshime për ambiciet e zikaltërve. Do të jetë në dorën e Marotta dhe Ausilio për të zhvilluar një merkato që, gjithashtu, mund ta bindë Lautaro se sezoni i ardhshëm mund të jetë më i mirë për të fituar trofe dhe lënë shenjë.
Rishikimi i pagës
Pastaj do të vijë koha për të rishqyrtuar kushtet e kontratës. Sot Lautaro merr një pagë prej 1.5 milionë euro, e cila edhe pse plotësohet me shpërblime dhe të drejtat e imazhit, është objektivisht jashtë logjikës së tregut, veçanërisht nëse krahasohet me 10 milionët që ia ka propozuar Barcelona. Menaxhmenti interist tashmë ka thënë se është gati ta rishikojë pagën e argjentinasit në fund të sezonit. Shifrat duhet të rriten, por jo të arrijnë pagat e Lukakut dhe Eriksen, më të paguarit tek Interi (6.5 milionë, plus bonuse). Dy ish-lojtarët e Premier League erdhën me paga të larta te zikaltrit, ndërsa për argjentinasin një shumë midis 4 dhe 5 milionë euro është e imagjinueshme.
Rishikimi i klauzolës
Interi do të punojë edhe me klauzolën e largimit të Lautaro Martinez. Është e mundur që ajo të ruhet në të njëjtat shifra (111 milionë euro, në një treg që do të shohë vlerat e lojtarëve të bien për një vit nga kriza e Covid-19), ose të studiohet një formulë tjetër rritjeje. Lautaro mund të bindet më lehtë që të mos largohet, nëse “treni Messi” do të kalojë…