Pak orë para se të nisej SHBA për takimin që do të mbahej të shtunën Shtëpinë e Bardhë, në përpjekje për të arritur një marrëveshje me Serbinë, Gjykata Speciale ka njoftuar se ka ngritur akuza ndaj Presidenti Hashim Thaçi. Ai akuzohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit, zhdukje të detyruar të personave, përndjekje e tortura.
Bashkë me të, edhe kryetari i PDK-së Kadri Veseli. Janë të parët ndaj të cilët ngrihen akuza nga kjo gjykatë. Në një njoftim të saj thuhet se dyshohet që ata janë përgjegjës për afërsisht 100 vrasje, shqiptarë, serbë, romë të Kosovës e kundërshtarë politikë.
Njoftimi i këtyre akuzave të rënda nga Gjykata Speciale që financohet dhe kontrollohet nga Bashkimi Europian, para nisjes së Thaçit për në Uashington, nuk duket rastësi dhe ngjan i lidhur pikërisht me takimin dhe përplasjen mes Brukselit e Uashingtonit për dialogun Kosovë-Serbi.
I dërguari i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajcak e deklaroi hapur pak ditë më parë në Prishtinë, e pas tij edhe Ministri i Jashtëm gjerman në Berlin, se pa Bashkimi Europian nuk mund të ketë dialog, pasi e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë janë në Europë.
Vetë Presidenti Thaçi vazhdimisht e ka kritikuar qasjen e BE-së dhe vonesat e shumta të saj në këtë proces dhe ka theksuar domosdoshmërinë e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në dialog, pasi përpjekjet e vazhdueshme në Bruksel dështuan.
Hashim Thaçi u detyrua ta anulojë fluturimin drejt Shtëpisë së Bardhë menjëherë pas njoftimit për akuzat.
Megjithatë, Gjykata e Speciale u përpoq të sqarojë arsyet e ngritjes së akuzave pikërisht tani. Sipas saj, Prokurori i Specializuar e ka gjykuar të domosdoshme publikimin e njoftimit, pas përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit e Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së dhomave të specializuara.
“Besohet se Thaçi dhe Veseli në fshehtësi kanë ndërmarrë një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë. Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 3 Gusht të vitit 2015 me 82 vota për i patën thënë po themelimit të kësaj gjykate. Në Kosovë, gazetarë e analistë kanë hedhur hapur dyshimet se publikimi i akuzave në këtë moment, lidhet pikërisht me takimin në Uashington, pasi sipas tyre, aktakuza e prokurorit është dorëzuar në gjykatë që më 24 Prill.
Megjithatë gjykata sqaroi se aktakuza është vetëm një padi penale dhe rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e zyrës së prokurorit të specializuar se mund t’i provojë të gjitha akuzat se janë në bazë të dyshimit të arsyeshëm.
Një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomës së Specializuar është duke shqyrtuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojnë ato thuhet në komunikatën për media të zyrës së prokurorit të specializuar, raporton Tv Klan.