Javën e ardhshme, Parlamenti do të votojë kandidatin e Presidentit Ilir Meta, Arben Shehu, për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).
Gjatë mbledhjes së grupit të Partisë Socialiste sot, është diskutuar për emrin e Arben Shehut.
Në mbledhje ka pasur debate, ku janë përfshirë Bashkim Fino, Erion Braçe dhe Spartak Braho, të cilët kanë kërkuar “llogari” për pranimin e kësaj kandidature.
Pavarësisht debateve, pritet që të enjten tjetër kandidatura e Arben Shehut të marrë dritën jeshile.
Debatet e sotme e vonuan me një orë nisjen e seancës plenare.
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi gjatë mbledhjes së ditës së martë me 15 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim kandidaturën e Arben Shehut si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke i hapur rrugë kalimit për votim në seancën plenare të radhës.
Ky është propozimi i katërt që Presidenti Meta sjell për këtë post. Më herët, mazhoranca ka rrëzuar kandidaturat e Vitore Tushës, Bahri Shaqirit dhe Petraq Milos.
Arben Shehu ka një eksperiencë 15-vjeçare në fushën e së drejtës dhe pedagogjisë.