Deputetja e opozitës në Kuvend, Rudina Hajdari ka përsëritur sërish sot thirrjen nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë për ndryshimin e sistemit dhe hapjen e listave për zgjedhjet e ardhshme.
Ajo ka theksuar se vetëm në këtë mënyrë, në Kuvend do të vijë rinia dhe ata që duan shqiptarët, të votuar për emrin e tyre, integritetin dhe projektin që kanë dhe jo të zgjedhurit e kryetarëve të partive.
“Ky parlament duhet të mbyllet me një arritje shumë të madhe që është me hapjen e listave në zgjedhjet e ardhshme, duhet të ndodhë kjo, përndryshe do jemi të humbur para shqiptarëve dhe elektoralit, nuk përfaqësojnë asnjë tjetër veç relatës me kreun e partisë, asnjë deputet nuk shikon lidhje direkte me elektoratin, e kanë humbur besimin te partitë dhe çdo politikan që ka vite që mbijeton në politike me marifete dhe pazare. Ne duhet ta arrijmë këtë beteje dhe të luftojmë”, tha ajo.
Sipas saj, Këshilli Politik është kthyer në arenë politikanësh që shohin interesat e tyre. “Kanë kapur disa avantazhe që as nuk i shërbejnë fare qytetarëve, ajo që bëjmë me kolegët jemi të detyruar që marrëveshja të kodifikohet duhet ti shtojmë elementët më të rëndësishëm që të rikthejnë besimin në parlament për kthimin e sovranitetit. Ti qëndrojmë fort kauzës dhe ti imponohemi shumicës për këto kërkesa dhe për ti çuar deri në fund. Të mbarojë koha kur ne nuk përfaqësojmë elektoratin, nuk i japim shpresë vendit dhe të futemi në garë me emrat tanë dhe përpjekjet tona për vendit dhe të vendosë qytetari nëse do të futemi në parlament apo jo. Të vijë rinia dhe jo babëzia e çdo deputetit që rri pas një kryetari, këtu do të fitojë fermeri dhe jo gangsteri, dhe duke i qëndruar besnikë kësaj kauze do e çojmë këtë vend aty ku e meriton”, tha Hajdari.
Hajdari ka theksuar se duhet të plotësohen sa me parë vakancat në Gjykatën e Larte dhe në atë Kushtetuese.
“Kjo puna e Reformës në Drejtësi, palët i hedhin fajin njëri-tjetrit. Shqiptarët kanë mbetur peng nga akuzat ndaj njëri-tjetrit. Kam qenë nga ato deputete modele për integrimin dhe e kam mbështetur edhe maxhorancën sepse Reformën në Drejtësi është kusht nga BE”, përfundoi Hajdari.