Anketa e RCC: Norma më e lartë në rajon. Gati gjysma të frikësuar për shëndetin e tyre
Pjesa më e madhe e shqiptarëve, më saktë 59% e tyre do ta bënin vaksinën në të ardhmen, kur ajo të dilte në qarkullim, si mjet për t`u mbrojtur nga Covid-19, thotë Barometri i Ballkanit 2020. Në kulmin e debatit mbi vaksinën, shqiptarët, në masë, duket të mos kenë frikë. Norma prej 59% e atyre që do ta bënin vaksinën në të ardhmen është më e larta mes të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në vend të dytë qëndron pikërisht Kosova, me 57%. Mesatarja e Ballkanit Perëndimor ndërkohë, fiksohet në 33%, çka tregon një skepticizëm të lartë ndaj vaksinës për Covid-19. Debatet për vaksinën vijnë në një kohë që teori të ndryshme konspiracioni janë shpërndarë me shpejtësi në rrjet, por edhe në një kohë që debati mbi vaksinimin është kthyer në një kryetemë globale, jo vetëm sa i përket covid-19.
Vaksina është zgjedhja numër dy e shqiptarëve për t`u mbrojtur nga virusi, pasi 66% e tyre zgjedhin si masën kryesore atë të mosgrumbullimit. Anketa tregon gjithashtu se, thuajse gjysma e shqiptarëve të anketuar, 44% e tyre, shprehen se e shohin Covid-19 si një kërcënim për shëndetin e tyre. Kjo normë është lehtë mbi mesataren rajonale, si dhe ndër më të lartat në rajon, së bashku me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut./ SCAN