Presidenti Ilir Meta, në komunikimin e përjavshëm me gazetarët, tha se i ka dërguar një shkresë kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për një takim urgjent pas raportit final të Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese.
“Shpreh vendosmërinë e Presidentit për të qenë gjithmonë bashkëpunues me të gjitha institucionet që Reforma në Drejtësi të fitojë shpejtësinë e humbur dhe rifitojë besimin e qytetarëve dhe kjo bëhet jo me interpretime sipas interesave të secilit. Implementimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias është e vetmja rrugë për të ecur përpara. Këto rekomandime janë përkthyer edhe në shqip”, tha Meta.
Kur u pyet nëse është i gatshëm që të negociojë me Ruçin, Meta u përgjigj: “Nuk kemi çfarë negociojmë, por duhet të bashkëpunojmë. Në 3 nëntor 2017, Presidenca i drejtoi një shkresë delegacionit të BE-së dhe EURALIUS-it për të parandaluar problemet me KED, me hedhjen e shortit, me legjitimitetin e veprimeve të KED-së dhe gjithë atyre gjërave që ndodhën gjatë këtyre viteve. Në rast se ky takim i vitit 2017 nuk do të ishte minuar, Shqipëria asnjë sekondë nuk do të kishte mbetur pa Gjykatë Kushtetuese funksionale. Besueshmëria e Reformës në Drejtësi do të ishte në nivele të larta dhe opozita nuk do të kishte asnjë justifikim për t’u larguar nga Parlamenti dhe negociatat do të ishin çelur me kohë. Mungesa e vullnetit për të lexuar Kushtetutën në mënyrë objektive dhe të paanshme kanë qenë problemi”.
Në lidhje me aktakuzat për Thaçin dhe Veselin, Meta u shpreh: “Është një zhvillim mjaft sfidant, i cili jam i sigurt që do të përballohet me shumë urtësi, unitet dhe largpamësi nga dy personalitetet në fjalë. Shpreh solidaritetin tim si President dhe si mik. Jam i sigurt që do ta përballojnë me dinjitet dhe përgjegjësi”.