Kur mendohej se do të përfundonte saga e kalvarit gjyqësor ndaj Saimir Tahirit, Apeli ka kthyer për rigjykim çështjen ndaj ish-ministrit të Brendshëm.
Me vendimin e sotëm, Apeli ka prishur vendimin e Shkallës së Parë dhe ka vendosur që të rihetohet dhe rigjykohet nga e para.
Me këtë vendim, është rrëzuar vendimi i Shkallës së Parë që ka dënuar ish-ministrin Saimir Tahiri me shërbim prove për shpërdorim detyre. Po kështu, edhe akuzat e ngritura nga Prokuroria janë rrëzuar dhe kjo çështje do të duhet të hetohet nga fillimi dhe të gjykohet nga një tjetër trupë gjyqësore.
Argumentimi
Një nga këto problematike ishte rikualifikimi i veprës penale. Në nisje të procesit Tahiri akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike dhe grup të strukturuar kriminal, por në përfundim Gjykata vendosi ta ndryshonte veprën në “shpërdorim detyre” dhe ta shpallte fajtor. Dosja do të rinisë procedurat nga fillimi, çka do të shtyjë me disa muaj mbylljen e kësaj çështjeje.
Sipas Apelit, pretendimi i ngritur nga Tahiri se po gjykohet për të njëjtat vepra të hetuara dhe gjykuara nga drejtësia italiane nuk qëndron.
“Duke iu referuar aktit të njoftimit të akuzës, seancës paraprake dhe vendimit përfundimtar, Apeli vlerëson se janë shkelur dispozitat e nenit 375 të Kodit te Procedurës penale për “ndryshimin të cilësimit juridik të veprës penale”. Gjykata e Shkallës së Parë ka ngritur një akuzë të te, por nuk i ka lënë kohë të pandehurve të njihen me të, të mbrohen apo të paraqesin prova të reja.
Prokurorët nuk kanë hetuar Tahirin për tre episode të kultivimit te narkotikëve, por janë referuar, sipas tyre, për të provuar ekzistencën e grupit kriminal.
Për këto shkaqe, Apeli vendosi prishjen e vendimit të Shkallës së Parë dhe kthimin e dosjes për gjykim në të njëjtën gjykatë me një treshe të re”, deklaroi Gjykata Posaçme e Apelit.
Kërkesat
Në Apelin e Posaçëm, Tahiri kërkon rrëzimin e çdo akuze të ngritur ndaj tij dhe deklarim të pafajshëm.
Në shkallën e parë, ish-ministri i Brendshëm u dënua me 5 vite burg për shpërdorim detyre. Ky vendim u konvertua me gjykim të shkurtuar në 3,4 vite shërbim prove. Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana tjetër kërkonte 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale: “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Por të dyja palët, si Tahiri dhe Prokuroria, nuk pranuan dënimin me 3,4 vite shërbim prove dhe e apeluan në Gjykatën e Posaçme të Apelit.