Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, thotë se PD është e hapur edhe për partitë e tjera të djathta. Në emisionin “Në fokus”, në TvT, Spaho tha se PD i mirëpret të gjithë ata që duan të bashkojnë forcat me të.
“Ftesa për t’iu bashkuar PD ka qenë ndaj kujtdo. Kush dëshiron t’i bashkohet PD në misionin e saj, është i mirëpritur”, tha Spaho.
Nënkryetari i PD shtoi se procesi i zgjedhjes së kandidatëve për deputetë do të jetë demokratik dhe i hapur, çka u miratua pak ditë më parë nga selia blu.
“Ne vazhdojmë të demokratizojmë PD. Para 2-3 vitesh premtuam që do të ishte hera e fundit që listat të mund të përgatiten nga kreu i PD. Siç e patë, pak ditë më parë, kryesia e PD mori vendimin për nisjen e procedurave për marrjen e propozimeve nga baza për kandidatët. Procesi do të jetë i hapur dhe demokratik“, tha ai.
Spaho deklaroi se me marrjen e pushtetit, PD do të anulojë koncesionet, pasi me to është abuzuar.
“Është abuzuar me koncesionet, prandaj nuk është vështirë të anulohen“, tha ai.
Numri dy i PD theksoi se demokratët do të vijojnë të kërkojnë qeveri tranzitore para zgjedhjeve të ardhshme elektorale.