Politika “Ke konsumuar alkool?” Kriteret e pazakonta për t’u bërë deputet i PD

“Ke konsumuar alkool?” Kriteret e pazakonta për t’u bërë deputet i PD

Cilido që dëshiron të kandidojë për deputet të Partisë Demokratike duhet të plotësojë një formular vetëdeklarimi mbi figurën dhe integritetin, i cili do të shërbejë si bazë për të vlerësuar nëse një individ mund të garojë apo jo nën siglën e PD.

Por ajo që bie ne sy në këtë formular është se të gjithë ata që duan të garojnë për Partine Demokratike duhet të japin të dhëna të pazakonta si p.sh duhet të listojnë emrat e tre personave të afërt; kolegë, miq, duke specifikuar se njohja duhet të jetë minimumi 7 vjeçare. Duhet të listojnë 3 shokë të universitetit, si dhe duhet të deklarojnë nëse kanë pasur kontakte me shtetas të huaj gjatë 10 viteve të fundit.

Lista e pyetjeve te cilat duhet t’u përgjigjen kandidatet është edhe më e pazakontë.

Një prej pyetjeve është p.sh; a jeni konsultuar ndonjëherë me një psikolog në lidhje me gjendjen tuaj emocionale ose mendore, duke dhënë detaje për datën e trajtimit dhe emrin e psikologut.

A keni përdorur ndonjëherë substancë të paligjshme narkotike është pyetja tjetër në formular ku kërkohet lloji i drogës e periudha e përdorimit.

Pyetësori i hartuar nga Partia Demokratike shkon edhe me larg duke përfshirë edhe alkoolin.

Të gjithë ata që dëshirojnë të garojnë për Partinë Demokratike duhet të sqarojnë nëse janë përdorues të rregullt të alkoolit deri në masën që pija të ketë pasur efekte negative në punë apo në jetën private. Ata duhet të saktësojnë llojin e alkoolit që konsumojnë, a kane pire ndonjëherë gjate kohës së punës dhe a mendojnë se mund të konsumojnë alkool sërish në të ardhmen.

Të gjithë kandidatët duhet të deklarojnë nëse kanë marrë pjesë në lojëra fati dhe duhet t’u përgjigjen pyetjeve; lloji i lojës së fatit që jeni pjesëmarrës dhe përafërsisht shumat që keni shpenzuar apo fituar? A ju ka shkaktuar ndonjëherë pjesëmarrja në lojëra fati, probleme financiare?

Kandidatet duhet të deklarojnë edhe pasurinë pranë Partisë Demokratike, duhet të saktësojnë nëse kanë marrë kredi apo hua nga persona të ndryshëm duke deklaruar shumën dhe emrin e personit. Duhet të saktësojnë nëse kanë pasur biznes privat, nëse i kanë paguar tatimet në kohë, nëse kanë falimentuar apo nëse mbi pasurinë e tyre është vendosur sekuestro.