Kryesore Paralajmërimi: Covid po sillet si gripi spanjoll, rrezik për valë të dytë...

Paralajmërimi: Covid po sillet si gripi spanjoll, rrezik për valë të dytë në shtator

Rreziku i një vale të dytë të koronavirusit në shtator, shumë herë më të fuqishme se ajo e fillimit të këtij viti është tepër i lartë. Këtë e pohon asistenti i drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së për nismat strategjike Ranieri Guerra, i cili thotë se COVID-19 ka një sjellje identike si gripi spanjoll që në 1918-ën i mori jetën rreth 50 milionë njerëzve.

“Po sillet ashtu siç e kishim dyshuar, si gripi spanjoll që bëri ekzaktësisht të njëjtën gjë si COVID. Ra gjatë verës dhe u rikthye egërsisht në Shtator e Tetor, duke u marrë jetën 50 milionë njerëzve me valën e dytë”, tha Guerra.

Lehtësimi i masave për frenimin e përhapjes në gjithë globin, duket se i ka prirë edhe parashikimeve. Shtetet e Bashkuara shënuan një rekord të ri infektimesh ditore, mbi 40 mijë gjatë 24 orëve të fundit, një shifër që nuk ishte arritur edhe gjatë asaj që fillimisht autoritetet e konsideruan si kulmin e përhapjes në periudhën Prill – Maj. Pasi ka ulur infektueshmërinë në Nju Jork, COVID-19 ka pushtuar shtetet federale të jugut, që janë vatrat e reja të përhapjes. Shumica e guvernatorëve janë detyruar të ndalin lehtësimin e masave. Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht numrin më të lartë të të prekurve në gjithë globin, ¼ e totalit.

Rritje të numrit të të infektuarve pas lehtësimit të masave parandaluese po përjetojnë edhe shumë vende të Bashkimi Europian. Rritjen më të lartë të infektimeve në gjithë botën e kanë aktualisht vendet e Amerikës Latine. Në total numërohen mbi 9.9 milionë të prekur në shkallë globale, prej të cilëve mbi 497 mijë kanë humbur jetën.