Ish-Presidenti i Republikës, tashmë kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani ishte i ftuar në televizionin A2 ku foli për aksionin e opozitë, por jo vetëm.
Teksa u pyet se pse vendosi të rikthehej në PD, ish-Presidenti u shpreh se ky vendim erdhi si pasojë e situatës në të cilën ndodhet vendi.
“Mendoj se sot është momenti i kontributeve shoqërore dhe qytetare nga gjithkush. Situata është tejet e vështirë, kemi një sistem të tërë në kolaps. Sistemin e institucioneve, një administratë shtetërore e mbërthyer nga një korrupsion si kurrë më parë, kemi në kolaps ekonominë. Prej 3 apo 4 vitesh kemi një hemorragji të madhe sociale, shoqërore që rrezikon ta zhbëjë vendin. Në këtë situatë, unë mendoj se gjithsecili ka një detyrim qytetar për t’u angazhuar”, u shpreh Nishani.
Teksa foli për procesin zgjedhor në PD, ai tha se gara dhe transparenca ishin evidente dhe kjo, sipas tij, është për t’u vlerësuar.
Aksioni opozitar – Sa i përket aksionit opozitar, Nishani u shpreh se ai është kompleks dhe nuk duhet të përqendrohet vetëm të protesta.
“Këshilli Kombëtar mori një vendim politik për të nisur një aksion politik. Aksioni politik nuk është vetëm protesta, por edhe takimi me bazën, me qytetarët, por edhe alternativa e opozitës, platforma e saj. Është një kompleksitet i plotë elementësh në këtë platformë. Duhet një përballje e fortë me këtë aktualitet”, tha Nishani.
Humbja e besimit te opozita – “Më shumë e shoh si një konsumim nga qeveria, që e ka çuar shtetin në kolaps. Unë mendoj se opozita duhet të ofrojë alternativa. Urgjentisht duhet kthyer hapësira e lirisë, e cila është asgjësuar. Zgjedhjet përcaktohen nga forca e dhunshme e pushtetit dhe kjo është detyra e parë e opozita dhe më pas qytetarët vendosin”.
Skenar për një qeveri tranzitore – “Çdo mekanizëm që garanton hapësirën e lirës është i pranueshëm dhe unë mendoj se opozita do të punojnë për ta gjetur këtë mekanizëm”.