Zbardhet dëshmia e 26-vjeçares, Adjola Lakra, e cila mbeti sot pas hekurave, me mase sigurie “arrest me burg” pas arrestimit disa ditë me parë, si e dyshuar si ndihmëse në vrasjen e Hekuran Billës.
26-vjeçarja është shfaqur e qetë në sallën e gjyqit, ku ka mohuar kategorikisht përfshirjen e saj në këtë ngjarje të rëndë dhe ka dhënë edhe detaje lidhur me njohjen dhe lidhjen me Hekuran Billëen dhe Sebastian Malin, personin tjetër të arrestuar për krimin.
Njohja me Sebastian Malin dhe Hekuran Billën
Ajo ka treguar se është njohur me Sebastian Malin, sapo ka ardhur me familjen të jetonte në Tirane, dy vite më parë. Sebastian Malin është nipi i Viktor Markut, ky i fundit, nip i të riut Prel Marku, që Hekuran Billa akuzohej se e ka vrarë në Angli.
“Me Sebastian Malin u lidha dy vite më parë, kur sapo kishim ardhur në Tiranë, ku jetoj me familjen. Në një parukeri u njoha me Lule Malin, mamanë e Sebastian Malit. Pas kësaj, u lidha me Sebastian Malin. Një ditë, ai më mori telefonin, më tha dua të shoh diçka dhe kërkoi një llogari me emrin Lani Billa në Instagram, e më pas i bëri ftesë për miqësi. Unë e pyeta se kush është dhe ai më tha është “hasmi im”! Por më tha, mos ki merak se nuk jam budalla të të fus ty dhe familjen tënde në siklete. Me pas, personi me emrin Lani Billa e pranoi ftesën time, dhe ne filluam te flisnin online. Unë fillova ta pëlqej. Ai më tha se jetonte në Anvers, Belgjikë”.
Sipas saj, ata të dy janë lidhur ne nëntor të vitit 2019, kohë kur i dha fund edhe lidhjes që kishte pasur me Sebastian Malin.
Vajza tregon se kur Billa u kthye nga jashtë, ata takoheshin “pranë qendrës tregtare pasi Lani jetonte me qira aty afër”.
Ndarjen me Sebastian Malin, ajo e sqaron me një fjali: “Unë ndërkohë u ndava nga Sebastiani, i thashë që më pëlqen Lani dhe ai më tha të vazhdoj jetën time”.
Nata e vrasjes
Adjola Lakra tregon se “ditën e ngjarjes e lame të takoheshim në darkë”, tek vendi ku takoheshin gjithmonë.
Ajo tha se në orën 19:00 ka marrë një telefonatë nga i dashuri i saj, Hekuran Billa, i cili i ka thënë se do të vonohej, pasi kishte punë në Durrës.
Më pas, ajo thotë se e lanë takimin për në orën 21:00.
“Në orën 20 e lame që do të takoheshim për një orë. Unë u nisa me makinën time, por rrugës kishte shumë trafik. Hapa telefonin dhe pashë çfarë kishte ndodhur, aty pashë që kishte ndodhur një vrasje”.
Cfarë bëri pas vrasjes
Ajo tregon se pasi ka marre vesh se çfarë kishte ndodhur, është kthyer në shtëpi. “U ktheva dhe parkova makinën në garazh, aty pashë Sebastianin duke qarë dhe duke i rënë timonit me grushta”.
Adjola Lakra ka thënë më tej, se ajo po qante pasi mori vesh ngjarjen dhe këtë skenë e ka parë edhe mamaja e Sebastianit.
“Kur unë po qaja më pa Lulja, mamaja e Sebastianit dhe më pyeti se “çfarë ke?”, i thashë: Kanë vrarë Lanin!”.
Ndërkohë që pyetur se ku e kishte telefonin, me te cilin ka kryer edhe telefonatat me Billën, ajo ka thënë se e ka thyer. “E theva nga dëshpërimi!”