Kryeministri Edi Rama ndodhet në Prishtinë ku ka nisur të takojë të gjitha palët politike pas aktakuzës nga Zyra e Prokurorit Special për Presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e PDK-së, Kadri Veselin.
Rama u takua fillimisht me kryetarin e Nismës-s, Fatmir Limajn. Më pas kreu i qeverisë sonë vijoi takimin me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Një takim gjatë pasdites Edi Rama e zhvilloi edhe me homologun e tij, Avdullah Hotin dhe ish-kryeministrin e liderin e LVV-së, Albin Kurtin.
Pritet që kreu i ekzekutivit shqiptar të takohet edhe me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. Me të do të jetë takimi i parë pas shkëmbimit të replikave në distancë dhe padisë që Rama ngriti kundër tij për shpifje, në lidhje me një marrëveshje për të copëtuar Kosovën.
Edi Rama ka rezervuar një takim edhe me dy të akuzuarit nga gjykata Speciale, Presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e PDK-së, Kadri Veselin.
Më herët gjatë kësaj të hëne, vetë Kryeministri Edi Rama përmes një statusi lajmëroi se ka shkuar në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas asaj që e konsideron si “fletë-rrufe speciale”. Për këtë të fundit, Rama thotë se “do të hyjë si njollë turpi në historinë botërore drejtësisë, që praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur vetëm në epokat e sundimeve ideologjike”.
Vizita e kryeministrit Rama në Kosovë do të zgjasë dy ditë.