Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një reagim të bërë në rrjetet sociale u shpreh i shqetësuar për përfundimet e raportit të Indeksit të besimit të Dhomës Amerikane të Tregtisë AMCHAM për vitin 2019.
Basha shprehet se raporti është një pasqyrë e situatës ekonomike dhe e korrupsionit që po gërryen ekonominë, po largon investitorët, po mbyll vende pune e varfëron shqiptarët.
“Konkurrenca e padrejtë, performanca zhgënjyese e ekonomisë, klima e përgjithshme e keqe për biznesin, niveli i lartë i korrupsionit, ekonomia joformale, burokracia, niveli i lartë i taksave dhe vetë qeveria me politikat e saj klienteliste janë pengesat më të mëdha për të bërë biznes në Shqipëri. Unë i kam dëgjuar shqetësimet e përfaqësuesve të Dhomës Amerikane, dhomave të tjera të tregtisë dhe industrisë, të biznesit të vogël etj. E di se biznesi ka nevojë urgjente për ndryshim të kësaj situate, për zgjidhje që garantojnë konkurrencë të ndershme, lehtësi fiskale dhe përmirësim të klimës së të bërit biznes”, thotë Basha.
Ndërkaq, Basha ka paraqitur edhe një platformë ekonomike, të hartuar nga opozita.
“Taksa e sheshtë 9%, eleminimi dhe thjeshtëzimi i lejeve dhe licencave, eliminimi dhe bashkimi i 18 taksave për të rimoduluar sistemin tonë fiskal. Njëkohësisht plani ynë parasheh dhe ristrukturimin e agjencive dhe institucioneve doganore, fiskale dhe të regjistrimeve. Më thjeshtë dhe më lehtë për të gjithë”.
Punësimi dhe zhvillimi ekonomik janë prioritetet kryesore për PD, shprehet kreu i selisë blu, teksa thotë se për ta arritur këtë do ta bëjnë Shqipërinë vend tërheqës për investimet e huaja, do të fuqizojnë biznesin vendas dhe do të reduktojnë hapësirat për abuzim dhe korrupsion që sot po i marrin frymën biznesit në Shqipëri, siç thotë ai.