Dritë e gjelbër për Kanadanë, dritë e kuqe për SHBA-në dhe Turqinë.
Europianët do të miratojnë sot një listë prej 15 vendesh, shtetasit e të cilëve do të lejohen të udhëtojnë në BE duke nisur nga 1 korriku.
Qeveritë e shteteve anëtare kanë afat deri sot në mesditë për të votuar këtë listë të vendeve, situata epidemiologjike e të cilëve lidhur me sëmundjen COVID-19 është gjykuar mjaftueshëm e sigurt për rifillimin e këtyre udhëtimeve, ndërkohë që fillon edhe sezoni turistik veror.
Hartuar nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian të premten në mbrëmje, subjekt i negociatave të vështira, lista e vizitorëve të pranuar në BE dhe në zonën Schengen përfshin Algjerinë, Australinë, Kanadanë, Gjeorgjinë, Japoninë, Malin e Zi, Marokun, Zelandën e Re, Ruandën, Serbinë, Korenë e Jugut, Tajlandën, Tunizinë dhe Uruguajin.
Ajo përfshin gjithashtu Kinën, por vetëm me kusht që ajo të pranojë në tokën e saj vizitorët e mbërritur nga BE.
E përjashtuar nga kjo listë është SHBA-ja, vendi më i prekur në botë nga pandemia me 125 928 të vdekur për rreth 2,6 milionë raste me COVID-19.
Nuk bëjnë pjesë as Brazili, Rusia, India, Turqia dhe Izraeli.
Edhe pse u largua nga BE më 31 janar, Britania e Madhe nuk ishte përfshirë në kufizimet e udhëtimeve.
”Por, që lista të zyrtarizohet, ajo duhet të miratohet nga 55% e shteteve anëtare, përfaqësuese të 65% të popullsisë totale të BE-së”, sipas burimeve europiane.
Europianët privilegjojnë vizitorët e ardhur nga vende, ku situata epidemiologjike e të cilëve është e ngjashme me ato të BE dhe ku zhvillimi i pandemisë ka rënë.
Përqindja e rasteve të reja me COVID-19 nuk duhet të kalojë 16 për 100 000 banorë.