Lehtësimi i masave kufizuese ka rritur ndjeshëm numrin e të infektuarve me Covid-19 në vend, si dhe ka dyfishuar numrin e viktimave. Në këto kushte mjekët epidemiolog i bëjnë apel qytetarëve të ruajnë distancën fizike dhe të tregohen më të kujdesshëm deri në daljen e vaksinës. I ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi epidemiologu Dritan Ulqinaku theksoi gjithashtu se vaksina nuk duhet të jetë e detyrueshme.
“Në momentin që unë e quaj veten të mbrojtur sepse unë mund të jem person shumë asocial sepse ka midis nesh persona asocial të cilët mbajnë distancë, nuk të japin dorën, ka pasur gjithmonë. Nuk ka pse ta bëj vaksinën. Në momentin që dikush e quan veten social, që unë nuk rri pa u përqafuar pa u puthur pa shkuar në futboll pa diskutim që duhet ta bëj vaksinën. Nuk jam për detyrim, absolutisht. Janë disa vaksina të detyrueshme, disa duhet të jenë facultative dhe unë jam për të qenë fakultative jo e detyrueshme. E para është që nuk do të kemi akses të menjëhershëm dhe e dyta në momentin që do të kemi akses nuk do të jetë 100% efikas. Kështu është vaksina e grupit të këtyre viruseve”, tha Ulqinaku.
Sipas Ulqinakut, qytetarët duhet t’i evitojnë ceremonitë martesore.
“Në një mort do të shkoja duke mbajtur distancën fizike. Në një dasëm nuk do të shkoja. Nuk është koha akoma që ne të liberalizojmë kaq shpejt të paktën dasmat, duke patur parasysh traditën tonë.” – theksoi Ulqinaku në Përballë.
Epidemiologu Dritan Ulqinaku ka një përgjigje edhe për skeptikët që e cilësojnë si lojë virusin Covid-19.
“Unë përballem përditë me atë punë, nuk gjej argument tjetër për ti thënë që hajde në Institut dhe shiko aparaturat shiko mostrat, shiko se si ndryshon një mostër nga një tjetër. Ky virus është real, absolutisht është real.”
Po ashtu, doktor Ulqinaku i bën apel kolegëve të tij të respektojnë protokollet në mënyrë rigoroze. Apel të veçantë ai i bëri shefave të pavioneve në QSUT.
“Ka një luftë të madhe mes kolegëve për protokollet. Po ka protokolle, po protokollet janë specifike. Pra protokollet e OBSH–së që vijnë deri tek dera e QSUT-së. Tek dera e QSUT secili shef duhet t’i marrë e t’i zbërthejë për veten e vet. Ku duhet të futet pacienti, ku duhet të jetë pacienti i parë, sa duhet të rrijë në momentin që pret për testin e koronavirusit. Pra çdo gjë është specifike sipas reparteve. Dhe këto është puna e shefave të klinikave. Shefat e klinikave për hir të së vërtetës në gjykimin tim nuk kanë qenë në krye të detyrës.” – theksoi Dritan Ulqinaku në Përballë.