Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të zyrtarëve në sistemin e drejtësisë shqyrtoi të mërkurën dy gjyqtaret e Apelit të Tiranës, Valdete Hoxhën dhe Shpresa Beçajn.
KPK vendosi ta konfirmojë në detyrë znj. Hoxha, ndërsa për znj. Beçaj hasi probleme në vlerësimin e saj pasi ajo “nuk ka dorëzuar kërkesë rivlerësimi” dhe për këtë e shtyu vendimin për të premten.
Gjyqtarja Hoxha kaloi vetingun pa probleme për pasurinë, figurën, apo aftësitë profesionale edhe pse për të qytetarët kishin ngritur 33 denoncime, denoncime të cilat u konsideruan të pabaza.
Hoxha është pjesë e sistemit të drejtësisë prej vitit 1992, ku fillimisht nisi si gjyqtare e Apelit në Shkodër. Ajo është gjyqtare e Apelit në Tiranë prej vitit 2009.
Për sa i përket znj. Beçaj, prej muajit shkurt KPK ka ngritur si shqetësim mosparaqitjen prej saj të formularëve të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit, Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), gjë që sipas Komisionit “pamundëson rivlerësimin”.
Mirëpo Beçaj ka sqaruar se asaj i është komunikuar nga ILDKPKI që “nuk ishte pjesë e subjekteve” pasi kur hyri në fuqi ligji i rivlerësimit të zyrtarëve të drejtësisë ajo ishte në konflikt me KLD-në dhe KLGJ-në për statusin e saj si gjyqtare në Apel.
Në këtë situatë të paqartë KPK vendosi të shtyjë vendimin për më 3 korrik.
Karriera në drejtësi e Shpresa Beçajt fillon në fund të viteve ’80 si gjyqtare në Gramsh. Në fillim të viteve ’90 u emërua gjyqtare në Tiranë e më pas në vitin 1994 kaloi në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Në Gjykatën e Lartë ajo u vendos në vitin 2004 dhe kryesimin e mori në vitin 2008, kryesim që e mbajti deri në vitin 2014.
Më pas ajo nuk ushtroi detyrën për 4 vite për shkak të një konflikti me Këshillin e Lartë të Drejtësi dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, konflikt të cilin ajo e zgjidhi në rrugë ligjore duke rifituar të drejtën për të vazhduar detyrën në Gjykatën e Apelit Tiranë.