Ministria e Shëndetësisë raportoi të enjten për vdekjen e 3 pacientëve të tjerë me COVID-19 në Spitalin Infektiv dhe diagnostikimin e 82 rasteve të reja.
Doktoreshë Rovena Daja tha se viktimat ishin të moshave 60-65 vjeç nga Tirana dhe Elbasani, çka e çon në 69 totalin zyrtar të vdekjeve nga pandemia në Shqipëri.
Pas 368 testimesh në 24 orët e fundit, rezultuan të infektuar edhe 82 persona të tjerë, çka e çon totali ne të prekurve me COVID-19 në 2,662 persona.
Rastet e reja janë në Tiranë (30), Shkodër (6), Kavajë (6), Fushë-Arrëz (6) dhe Vlorë (5).
Kjo është hera e dytë që arrihet një numër kaq i madh rastesh ditore. Gjithashtu 82 raste ishin diagnostikuar edhe më 16 qershor.
Po kështu 3 viktima u raportuan edhe të mërkurën, ndërkohë që prej muajit qershor kanë vdekur 36 persona, 3 më shumë se periudha mars-maj e pandemisë, një rritje me 52 për qind e rasteve të vdekjeve.
Së fundmi u deklaruan të shëruar 43 persona të tjerë duke e çuar totalin e atyre që e kanë mposhtur virusin në 1,559.
Aktualisht në spitale janë shtruar 78 persona, 9 prej tyre në terapi intensive, ndërsa 2 janë në gjendje të rëndë me frymëmarrje të drejtuar.
Prej muajit mars autoritetet kanë kryer 27,671 teste, prej nga ku janë diagnostikuar 2,662 persona me COVID-19, prej të cilëve 1,559 janë shëruar, 69 kanë vdekur dhe 1,034 mbeten mbartës.
Shpërndarja gjeografike e “rasteve aktive”: Tiranë 387, Durrës 203, Shkodër 152, Vlorë 110, Fier 51, Lezhë 45, Korçë 28, Kukës 19, Elbasan 16, Berat 8, Dibër 8, Gjirokastër 7.