Liderët politikë të vendit tonë ka kujtuar sot 30 vjetorin e eksodit të shqiptarëve.
Në një reagim në Facebook, kreu i qeverisë Edi Rama, bashkangjitur një videoje, e ka cilësuar si një kohë për të kuptuar çmimin e lirisë dhe dëshirën e zjarrtë të shpirtit shqiptar që u përball me diktaturën dhe luftoi për lirinë.
“30 vjet nga eksodi historik i shqiptarëve, një kohë për të kuptuar çmimin e lirisë dhe dëshirën e zjarrtë të shpirtit shqiptar që u përball me diktaturën dhe luftoi për lirinë”.
Nga ana tjetër edhe Presidenti Ilir Meta ka shpërndarë një foto të 30 viteve më parë, ku 3200 shqiptarë nisën një jetë të re në liri.
“Kjo foto është shkrepur 30 vjet më parë brenda Ambasadës gjermane në Tiranë, ku rreth 3200 shqiptarë nisën një jetë të re në liri. Hapja e dyerve të Ambasadës gjermane goditi në zemër diktaturën më të egër në Europë.
30 vite më pas, në emër të këtyre sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore duhet të përmbushim sa më parë të gjitha kushtet, që të nisim negociatat e anëtarësimit me BE gjatë Presidencës gjermane.
Presidenca gjermane e BE është një mundësi e shkëlqyer, dhe një sprovë e vërtetë për çdokënd që për Shqipërinë Europiane jo vetëm flet por edhe punon.
Mirënjohje të gjithë shqiptarëve që me guximin e tyre 30 vite më parë i dhanë Shqipërisë një drejtim të ri. Koha për të përmbushur ëndrrën e çdo qytetari: Shqipëria si gjithë Europa. Koha për kthimin e shqiptarëve në vendin e tyre”.
Po ashtu edhe kreu i selisë blu Lulzim Basha, shprehet se hapja e dyerve të ambasadës gjermane në Tiranë shënoi fillimin e ndryshimit të madh për shqiptarët dhe një nga goditjet më të forta për diktaturën komuniste.
“Mijëra qytetarë shqiptarë që u strehuan për gati dy javë në ambasadën gjermane, u bënë ato ditë simboli i qëndresës dhe kurajos ndaj një regjimi që edhe në grahmat e fundit kishte treguar mizori çnjerëzore.
Edhe pse në kushte të vështira, ambasada gjermane dhe të tjera seli diplomatike në Tiranë, u shndërruan në qiellin e lirisë së munguar për mijëra shqiptarë që diktatura ua kishte mohuar të drejtat për 50 vite me radhë.
Ditët e nxehta të korrikut ’90 ishin vendimtare për ndryshimin e madh që ndodhi në Shqipëri vetëm pak muaj më pas.
Shumë të rinj sot, të lirë për të udhëtuar kudo në Europë, e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë ndodhi ato ditë të nxehta korriku në Tiranë. Të tjerë, në moshë më të madhe i kane ende të freskëta në kujtesë ngjarjet e Rrugës së Ambasadave, pasigurinë për të ardhmen e atyre që ishin brenda dyerve, padurimin për t’u larguar drejt perëndimit të ëndërruar, apo dyzimin dhe frikën e të tjerëve që shihnin nga larg se si regjimi po shkërmoqej.
Sot si 30 vjet më parë ëndrra e shqiptarëve që thyen muret e diktaturës për të mos u kthyer më pas është liria dhe Europa. Janë vlerat e një bashkimi që na frymëzon dhe na shtyn përpara.
Shqiptaret përmbushën një pjesë të kësaj ëndrre kur 10 vite më parë ne mundësuam liberalizimin e vizave. I jam kthyer jo pak herë me mendje dhe me emocionet e pashlyeshme të 16 vjeçarit, 2 korrikut 1990, e në veçanti ditën kur si Ministër i Brendshëm ndërmora bashkë me një grup të rinjsh dhe studentësh udhëtimin e parë pa viza të shqiptarëve drejt Europës.
Le të jetë kjo ditë një shtysë dhe frymëzim për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve, për të rrëzuar çdo mur që na mban larg Europës së cilës i përkasim”.