Messi mund t’i thotë lamtumirë Barcelonës në vitin 2021. Ky është lajmi i bujshëm që ka publikuar “Cadena Ser”, sipas të cilës, ylli argjentinas ka vendosur të bllokojë dialogun me katalanasit sa i përket rinovimit të kontratës që skadon vitin e ardhshëm.
Lionel Messi ka ndërprerë bisedimet për rinovim. El Larguero, emision i respektuar dhe i dëgjuar në transmetimin sportiv të natës në “Cadena Ser”, radio e parë në Spanjë, ka “plasur” një lajm tepër të fortë. Kapiteni katalanas ka pezulluar negociatat e rinovimit dhe vitin e ardhshëm, kur marrëveshja aktuale do të skadojë, do të largohet me parametra zero. Ose të paktën, po sipas programit, numri “10” po mendon për këtë skenar, nisur nga ajo që po ndodh në kampin “blaugrana”.
Leo Messi mund të largohej falas tani, por ai duhet ta kishte informuar Barcelonan para fundit të majit, një muaj nga 30 qershori. Ishim ende në mbyllje të plotë për shkak të pandemisë dhe lëvizja e një lojtari që fiton mbi 100 milion euro në vit midis rrogës, bonuseve dhe reklamave, nuk është aq operacion i lehtë.
Kështu që afati ka kaluar dhe në shumë pjesë të Spanjës është folur për kontakte midis familjes Messi dhe drejtuesve të Barcelonas (kryesisht Bartomeu) për të zgjatur kontratën që skadon në qershor 2021. Messi nuk e ka konfirmuar kurrë këtë.
Ndërkohë, skuadra e Setien e gjen veten 4 pikë larg kreut që mbahet nga Real Madrid dhe tashmë objektivi titull nis të zbehet. Gjithashtu, në Camp Nou, marrëdhëniet janë të tensionuara me stafin teknik dhe të paktën me Bartomeu. Messi e kupton që koha kalon dhe skuadra as është e ndërtuar dhe as e drejtuar për të fituar.
Por nuk ka shumë kuptim të thuash sot që Leo nuk do të rinovojë në 2021: sepse ai do të jetë 34 vjeç dhe sepse, mbi të gjitha, kjo presidencë dhe ky bord do të zhduket.
Bartomeu brenda një viti do të arrijë në fund të mandatit të tij dhe nuk mund të kthehet më. Me pak fjalë, shumë gjëra mund të ndodhin nga tani deri në qershor 2021.
Realiteti është ndryshe dhe kjo është arsyeja pse lajmi shkaktoi bujë: interpretohet si një provokim nga Messi në mënyrë që bordi drejtues të largohet që këtë verë me thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Barcelona, përmes Mundo Deportivo, besnike e klubit, ka bërë të ditur që nuk ka marrë mesazhe nga Messi, por është e qartë se ka filluar një lojë e ndërlikuar dhe potencialisht shpërthyese.
Barca po shkon keq brenda dhe jashtë fushe. Leo dëshiron të shpëtojë të paktën Ligën e Kampionëve, të cilën nuk e ka fituar që nga viti 2015. Ai është i shqetësuar dhe mendon për gushtin e vitit 2020 më shumë se qershorin 2021.