Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim përmes një video-mesazhi të gjatë ka uruar festën e Pavarësisë së Amerikës. Një pjesë të rëndësishme të këtij mesazhi ajo ia kushton miqësisë shqiptaro-amerikane, që sipas ambasadores ka mbetur e palëkundur edhe sot, që jemi në kushtet e distancimit fizik për shkak të pandemisë.
“Përshëndetje! Miq të dashur, festimi i ditës së Pavarësisë së Amerikës këtë vit nuk është si asnjë tjetër. Për herë të parë po përballemi me një pandemi që nuk na ka lënë të mblidhemi në një çati për të festuar ditëlindjen e 244 të SHBA.
Ndërsa duhet të qëndrojmë të distancuar fizikisht, ne amerikanët dhe shqiptarët jemi po aq afër dhe të bashkuar si gjithmonë. Mbetemi të lidhur nga dashuria dhe mbrojtja e lirisë sonë, e pavarësisë sonë dhe vizionit tonë të përbashkët për të ardhmen”, shprehet ambasadorja Kim.
Ajo ka përsëritur edhe një herë mbështetjen e SHBA ndaj Shqipërisë në rrugëtimin evropian, në mënyrë që nesër të jetë aleate e lirë dhe e fortë përkrah SHBA.
“Sot Shqipëria është në rrugën drejt një bashkimi tjetër, BE! Reformat e nevojshme për këtë do të sjellin më shumë drejtësi dhe begati për popullin shqiptar. SHBA ishin me ju në fillim të këtij procesi dhe ne do të qëndrojmë me ju derisa të arrini synimin tuaj. Historia ka treguar që në momente vendimtare, SHBA dhe Shqipëria kanë zgjedhur të jenë pranë njëra-tjetrës krah për krah.
Ne vazhdojmë të qëndrojmë me ju sot dhe do të qëndrojmë më ju nesër si aleatë, të lirë, të fortë dhe të vendosur për të formuar një bashkim më të përsosur. Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Amerikës”, shprehet ambasadorja Kim.