Larg Uashingtonit, presidenti amerikan, Donald Trump foli dje për një Amerikë “të jashtëzakonshme” dhe dënoi protestat e dhunshme antiraciste, në monumentin madhështor të Mont Rushmore, pa u ndalur tek shifrat alarmante të COVID-19.
Shumë i kritikuar për menaxhimin e tij të pandemisë, presidenti amerikan i ofroi vetes, në prag të festës kombëtare të 4 korrikut, një mbrëmje me fishekzjarre dhe një fjalim me një ton shumë të ashpër.
Në një takim në Mont Rushmore, miliarderi republikan foli për një Amerikë të fortë dhe krenare.
Presidenti amerikan, Donald Trump shkoi dje në mbrëmje në Dokotan e Jugut për një miting në kuadër të fushatës së tij.
Amerika duhet të jetë krenare për historinë e saj
Miliarderi amerikan kishte zgjedhur të mbante fjalimin e tij në këmbët e Mont Rushmore, e njohur për skulpturën e katër presidentëve amerikane të gdhendur në shkëmb.
Përpara mbështetësve të tij, kandidati republikan mbrojti një Amerikë “krenare” dhe “të fortë”, duke kaluar në heshtje dëmet e shkaktuara nga epidemia e koronavirusit.
“Ne do ta tregojmë të vërtetën ashtu siç është, pa kërkuar falje. SHBA-ja është vendi më i sinqertë dhe më i jashtëzakonshëm që ka ekzistuar ndonjëherë në Tokë”, u tha ai mbështetësve të tij.
Mes një debati mbi simbolet e historisë së vendit, dhe ndërsa statujat e gjeneralëve të konfederatës u rrëzuan nga protestuesit antiracist, presidenti amerikan, Donald Trump denoncoi “një fushatë që synon të fshijë historinë tonë, për të denigruar heronjtë tanë, për të hedhur poshtë vlerat tonë dhe për të indoktrinuar fëmijët tanë”.
Fashizmi i majtë
Fjalimi i presidentit u kritikua nga shumë analistë, për faktin se ai nuk tregoi asnjë shenjë uniteti në këtë moment të vështirë për vendin që drejton, me vendin e ndarë nga vala e protestave dhe vështirësitë e shkaktuara nga pandemia. Madje, presidenti akuzoi një sistem të tërë, politik, social dhe mediatik, që ai cilësoi si totalitar.
“Në shkollat tona, në redaksitë, në bordet e kompanive, ekziston një fashizëm i ekstremit të majtë që kërkon besnikëri absolute. Në qoftë se nuk flet gjuhën e tyre, kryen ritualet e tyre dhe nuk zbaton urdhrat, atëherë do të censurohesh, përjashtohesh, futesh në listën e zezë”, shtoi Trump.
“Angazhova forcat federale të sigurisë për të mbrojtur monumentet tona, arrestuar rebelët dhe për të ndjekur penalisht ata që shkelin ligjet që vlejnë për të gjithë. (…) Personat të cilët kanë dëmtuar ose dëmtojnë statujat ose monumentet federale do të dënohen me të paktën 10 vjet burg”, theksoi ai.
Trump bëri publike se si përgjigje ai do të ndërtojë parkun e heronjve amerikanë, ku do të ndodhen statujat që kujtojnë, sipas tij, të gjithë amerikanët më të mirë që kanë jetuar ndonjëherë.
Disa dhjetëra protestues bllokuan rrugën për të shkuar tek vendndodhja e fjalimit presidencial, por forcat e rendit i bllokuan, duke arrestuar 15 persona. Mes tyre, disa indianë të Amerikës që protestonin për faktin se një fjalim i tillë, sipas tyre përjashtues, mbahen në të ashtuquajturat “kodrat e zeza”, të shenjta për fisin Lakota.