Aktualitet “Të rinj me simptoma të rënda janë shtruar në spital”, ministrja Manastirliu...

“Të rinj me simptoma të rënda janë shtruar në spital”, ministrja Manastirliu ka një apel

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu përmes një postimi në faqen e vet në Facebook, ka kërkuar ndërgjegjësimin e të rinjve si transmetuesit kryesorë të COVID-19, në mënyrë që të frenohet përhapja e virusit.

Ministrja shpjegon se mes të shtruarve që po trajtohen në QSUT ka edhe të rinj që kanë shfaqur simptoma të rënda, çka sipas saj vërteton më së miri faktin se ky virus nuk njeh moshë.

“Sot në spitalin infektiv mes qytetarëve të shtruar, ka të rinj që po trajtohen për simptoma të rënda të shkaktuara si pasojë e COVID19, sepse virusi nuk bën dallim moshe.

Sot, ka shumë të rinj që me kontaktet e shpeshta me njëri-tjetrin, pa i respektuar rregullat, rrisin mundësinë e përhapjes së infeksionit dhe e përcjellin atë tek prindërit, gjyshërit, duke i vënë ata në rrezik serioz!

Vetëm me kontributin e të rinjve, për të marrë përgjegjësi individuale në këtë kohë të pazakontë, përhapja e koronavirusit të rrezikshëm mund të frenohet! Vendose maskën, ruaj distancën, laj shpesh duart”, apelon ministrja.