Amerikanët e festojnë Ditën e Pavarësisë në një kohë të trazuar.
Ndërsa shumë njerëz debatojnë nëse duhet apo jo të mbajnë maska në publik, pandemia e COVID-19 po rritet në shumicën e shteteve amerikane. Protestuesit e zemëruar me moton “Black Lives Matter” kanë dalë në rrugët e qyteteve pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd në arrest policor.
Një rekord prej 42.6 milion njerëzish kanë paraqitur kërkesa për pagesë papunësie gjatë pandemisë. Ndarjet politike ekzistuese që u thelluan më tej me zgjedhjen Presidentit Donald Trump në vitin 2016, vazhdojnë të shfaqen me forcë në vitin e fundit të mandatit të tij 4-vjeçar.
Por Shtetet e Bashkuara janë përballur me trazira, pasiguri dhe përçarje të mëdha edhe më parë. Madje, edhe në periudha të qeta, grindjet kanë vazhduar të ziejnë nën sipërfaqe, thotë sociologu Todd Gitlin i Universitetit Columbia.
Miti i unitetit
“Amerika gjithmonë ka qenë e ndarë. Mendoj se ideja që ne jemi një vend i bashkuar është një mit… Kredot amerikane janë kontestuar qysh nga fillimi. Më gjeni një moment në histori, kur nuk kemi qenë thellësisht të ndarë,” thotë Gitlin.
Në historinë e saj 244-vjeçare, SHBA ka kaluar nëpër përçarje të thella midis partive të saj politike, rreth industrializimit, Luftës Civile, imigrimin në fund të viteve 1800, votimin e grave, për çështjen nëse duhej hyrë në luftën e parë dhe të dytë botërore, për të drejtat civile dhe protestat kundër luftës në vitet 1960, të drejtat e homoseksualëve, të drejtat e abortit dhe shumë beteja të tjera.
“Kur nuk kemi qenë ndonjëherë thellësisht të ndarë?” pyet Gitlin.
Njëra arsye për këto përçarje mund të gjendet në vetë themelet e Amerikës, një bashkësi njerëzish që nuk ndajnë një histori të përbashkët sa i përket origjinës së tyre.
“Ne thjesht nuk jemi një vend i zakonshëm, i bazuar mbi marrëveshjen rreth një historie kombëtare apo një konsensusi kombëtar që zakonisht mbështeten tek një origjinë e vetme kombëtare,” thotë Gitlin. “Ajo që e bashkon Amerikën është një doktrinë ideologjike. Është një deklaratë bindjesh, jo deklaratë identitetesh.”
Bindje të përbashkëta
Identiteti i Amerikës vjen përmes bindjeve të përbashkëta, të sanksionuara në Deklaratën e Pavarësisë, e cila festohet në 4 korrik. Prandaj, shfrytëzimi i ditës së festës nga njerëz të ndryshëm për të shprehur protestën e tyre nuk është diçka e pazakontë.
“Njerëzit që janë ndjerë të shtypur, apo të përjashtuar nga ëndrra amerikane, gjithmonë e kanë përdorur 4 korrikun si një rast për t’u shprehur se ata janë pjesë e këtij vendi, për të kërkuar lirinë dhe barazinë me të tjerët,” thotë Timothy Shannon, profesor i historisë në Kolegjin Gettysburg.
Në korrik 1848, në Amerikë filloi lëvizja për të drejtat e grave me hartimin e një deklarate të formuluar sipas modelit të Deklaratës së Pavarësisë. Gjithashtu, para se Amerika të kishte një festë të quajtur Dita e Punës, 4 korriku pati rëndësi thelbësore për lëvizjen sindikaliste. Më 5 korrik 1852, Frederick Douglass mbajti fjalimin e tij të famshëm me titull: “Çfarë është 4 korriku për një skllav?”
Idealet e themeluesve të Amerikës
Frederick Douglass, ish-skllav i liruar, u bë një nga folësit më të zjarrtë kundër skllavërisë në Jugun amerikan.
Duke ngritur lart idealet e lirisë së themeluesve të vendit, ai e vuri gishtin te hipokrizia e idealeve të tyre për shkak të ekzistencës së skllavërisë.
“A janë shtrirë deri tek ne parimet e mëdha të lirisë politike dhe drejtësisë natyrore, të mishëruara në atë Deklaratë të Pavarësisë?” pyeste Douglass.
Për disa vëzhgues, protestat e tanishme të lëvizjes “Black Lives Matter” kundër brutalitetit policor dhe padrejtësisë të kujtojnë trazirat e viteve 1960, kur njerëzit marshonin për të drejtat civile, të drejtat e grave dhe kundër luftës së Amerikës në Vietnam.
Një histori protestash
“Në vitet 1960, ne pamë protestuesit që marshonin nëpër rrugë dhe njerëzit që bojkotonin kompanitë raciste,” thotë Jamie Goodall, historian në Qendrën e Historisë Ushtarake në Uashington në një email dërguar Zërit të Amerikës.
“Sot, kemi protestues që dalin në rrugë dhe individë që zgjedhin të blejnë nga kompani me pronarë afrikano-amerikanë, duke bojkotuar kompanitë që kontribuojnë për kauza raciste dhe paragjykuese. Ne mund t’i shikojmë këto protesta si një shenjë të qëndresës amerikane. Ata po mbajnë lart pishtarin e paraardhësve të tyre, duke vazhduar luftën për liri dhe barazi,” thotë profesori.
Nga ana e tij, Gitlin beson se Amerika është në mes të një tjetër krize ekzistenciale për të, e cila nisi në fillimin e viteve 1970 kur standardi i jetesës për shumicën e amerikanëve nisi të bjerë, ndërsa hendeku pasuror mes njerëzve u thellua.
Beteja për maskat
Beteja për të vënë apo jo maskë për të mbrojtur të tjerët nga përhapja e COVID-19s, në thelb ka të bëjë ndoshta me mënyrën se si amerikanët e shikojnë veten në një vend që po i bën njerëzit gjithnjë e më shumë të ndihen sikur duhet të zgjedhin këtë ose atë palë.
“A jemi individë të pavarur, të izoluar që e zgjedhin vetë jetën e tyre dhe që nuk kemi borxh ose përgjegjësi kolektive ndaj atyre që janë me më pak fat? Apo jemi aq të lidhur me njëri-tjetrin sa të kërkojmë një lloj përgjigjeje të koordinuar për vuajtjet e të tjerëve?” pyet Gitlin.
Drejt një bashkimi më të përsosur
Në një farë mënyre, 4 korriku i këtij viti, i shoqëruar nga probleme ekonomike, pandemia, politika e polarizuar dhe protestat kundër brutalitetit policor dhe për drejtësi sociale, i kujton Amerikës që edhe pse ajo nuk e ka përmbushur plotësisht premtimin e saj, përpjekjet për arritjen e këtyre idealeve vazhdojnë.
“Kjo është një farë kujtese e përvitshme se ky vend u themelua mbi një parim politik mjaft radikal: të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë,” thotë Shannon.
“Padyshim, ky nuk ishte realiteti në vitin 1776, në një vend ku kishte skllavëri, në një vend ku grave u mohohej e drejta e votës. Por, si komb, neve na kërkohet t’i dalim zot atij ideali dhe të bëjmë sa kemi mundësi, brez pas brezi, për ta ruajtur dhe çuar përpara atë ideal barazie.”/VOA