Një fitore e lehtë, por jo e mjaftueshme për të siguruar një shumicë absolute. Është ky rezultati i votimeve të 5 korrikut për partinë e kryeministrit kroat Andrej Plenkovic, Unioni Demokratik Kroat (HDZ).
Partia e kryeministrit Andrej Plenkovic sipas të dhënave pothuajse përfundimtare ka siguruar 68 mandate nga 151 në total, dhe sipas analistëve 10 mandatet që i duhen për të formuar mazhorancën nuk do të jetë e vështirë t’i gjejë, duke parë edhe mbështeten e shprehur të minoriteteve etnike në vendin e BE.
“Kjo është një fitore e madhe, por edhe një detyrim i madh. Kishim një mandat të vështirë dhe sfidat që kemi përpara nesh janë edhe më të mëdha. Unë mendoj se kemi bërë një përpjekje maksimale, dhe kjo fitore na jep të drejtën të gëzohemi dhe të qetësohemi , dhe nesër do të fillojmë përsëri, së bashku dhe me gjithë zemrën tonë, të punojmë për Kroacinë. Faleminderit!” – u shpreh Plenkoviç.
Ndërkohë, për socialistët në opozitë ky ka qenë rezultati më i dobët në 20 vitet e fundit, me 43 mandate, me zëra të brendshëm partisë që kërkojnë tashmë dorëheqjen e liderit Davor Bernardic.
“Nuk është e thjeshtë të flasësh pas një rezultati të tillë,” – tha Davor Bernardić, nga SDP.
Në vend të tretë pozicionohet koalicioni i partive nacionaliste të drejtuara nga ish-këngëtari Miroslav Skoro 15 mandate, i ndjekur nga e djathta e Skoro, me 8 mandate, ndërkohë që partia ambientaliste merr mandate për herë të parë.
Vetëm 46% i votuesve morën pjesë në zgjedhje, shifra më e ulët kjo nga pavarësia e vendit nga Jugosllavia në 1991.
Por megjithatë rezultatet nxitën reagime të ndryshme tek qytetarët.
“Unë mendoj se Evropa nuk duhet ta kishte lejuar që kjo të ndodhë. Evropa nuk duhet të lejojë që kjo lloj kthesë e tmerrshme e krahut të djathtë të zhvillohet në Kroaci. Nuk është mirë”, u shpreh Nada Boban, votuese në Zagreb.
“Jam i zhgënjyer sepse shumë pak njerëz dolën të votonin”, tha Dario Bobanoviç, votues gjithashtu në Zagreb.
“Kroacia duket e vendosur të qëndrojë në një rrugë të drejtë politike, pasi në vend tanimë duhen negociata për një koalicion të ri qeveritar. Me rezultatin e parashikuar, Bashkimi Demokratik mund të zgjedhë të anashkalojë të djathtën ekstreme Lëvizjen Atdhetare dhe në vend të saj t’i drejtohet diasporës kroate dhe partive minoritare. E gjitha kjo do të varet nga zhvillimet në ditët e javët në vazhdim”, analizon gazetari i Euronews Jorgen Samso.