Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një postim në rrjetet sociale shkruan se “Ramavirusi” po gërryen nga brenda ekonominë e vendit.
Sipas Bashës, me rritjen e borxhit publik në 80% të PBB-së po i jepet një goditje fatale ekonomisë. Fajtor për këtë bën Ramën, për të cilin thotë se po mbush xhepat e vet dhe të oligarkëve në shërbim të tij.
“RAMAVIRUSI po e gërryen nga brenda ekonominë tonë. Me rritjen stratosferike të Borxhit Publik në 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Rama po i jep ekonomisë një goditje fatale. Ky borxh që rëndon mbi qytetarët po përdoret jo për ti ndihmuar ata në këto ditë të vështira, por për të mbushur xhepat e Ramës dhe oligarkëve në shërbim të tij. Për shkak të RAMAVIRUSIT, sot gjysma e shqiptarëve janë pa punë dhe mbijeton në kufirin e varfërisë”, akuzon kreu i PD.
Sipas Bashës, shqiptarët meritojnë një qeveri të përgjegjshme dhe serioze që nuk i lë qytetarët në ditë të vështirë.
“Shqiptarët kanë mundësi të jetojnë më mirë dhe të kenë më shumë. Shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që jua lehtëson barrën e taksave dhe që rrit punësimin dhe investimet”.