Nuk shuhen polemikat midis Britanisë së Madhe dhe Kinës për çështjen e statusit të ish-kolonisë britanike të Hong Kongut.
Javën e kaluar kryeministri anglez Boris Johnson kishte deklaruar se pas nismës së Pekinit, që miratoi një ligj mbi sigurinë që sipas Londrës shtypte lirinë Hong Kongut, Britania do të siguronte pothuajse të gjithë banorëve të ish-kolonisë statusin e “nënshtetasit britanik jashtë territorit”, duke i dhënë atyre mundësinë për t’u transferuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe aplikuar pas pak vitesh për nënshtetësinë e plotë.
Reagimi i Pekinit nuk vonoi, me Ministrinë e Jashtme që paralajmëroi pasoja për një vendim të tillë, që mund të përfshijë rreth 3 milionë nënshtetas kinezë.
“I sugjerojmë Britanisë ta mendojë dy herë këtë vendim. Sipas të dhënave bëhet fjalë për 3 milionë persona, që duhet të kenë të njëjtat të drejta dhe mundësi punësimi, ndoshta do të duhet të konsultoheshin me popullin britanik për diçka të tillë”, ironizoi Zhao Liljan, zëdhënësi i Ministrisë së Pekinit.
Rreth 350 mijë persona në Hong Kong e kanë tashmë këtë status, dhe rreth 2.9 milionë mund ta marrin pas vendimit të Johnsson.
Ndërkohë, një prej liderëve studentor të protestave të vitit të kaluar, Simon Cheng, është i pari që ka marrë azil politik në Britani, pasi është dhunuar dhe i burgosur në mënyrë sekrete nga autoritetet kineze.
Rasti i tij mund të shtyjë realisht mijëra moshatarë të tij, por jo vetëm, të braktisin atë që deri pak vite më parë cilësohej si një nga qytetet-shtet më të përparuara të botës.