Gjykata e Tranit në Itali ka dhënë vendimin për autorët e vrasjes së një shqiptari dy vite më parë. Viktorjan Picaku, 24 vjeç, humbi jetën më 1 gusht të 2018-s pasi u qëllua me armë në një shesh të populluar në Corato.
Për ngjarjen u vunë në pranga Domenico Manzi, 23 vjeç dhe Domenico Patruno, 31 vjeç, të dy me precedentë të mëparshëm penalë. Gjykata dha të mërkurën 16 vjet burg për Manzi-n, ndërsa 10 vjet burg për Patrunon. Prokuroria kishte kërkuar 20 vjet për 23-vjeçarin dhe 18 vjet heqje lirie për tjetrin.
Pas vrasjes së Picakut, ata u arratisën nga vendngjarja me një motor Vespa. Pas disa orësh, dy italianët u vetëdorëzuan në polici. Ai që qëlloi në drejtim të Picakut ishte Domenico Manzi.
I riu shqiptar kishte shkuar në Itali për të punuar. Ai ishte me origjinë nga Mirdita. Mediat italiane kanë hedhur poshtë çdo aludim për lidhje kriminale të tij. Sipas tyre, Picaku u qëllua për shkak se kishte ndërhyrë për të mbrojtur një vajzë që po dhunohej nga një italian.
Sipas familjarëve, ky incident kishte ndodhur disa ditë para vrasjes.