Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se janë në rrugën për të prodhuar një vaksinë në “kohë rekord” kundër koronavirusit dhe se kjo do të bëhej e ditur shumë shpejt.
Trump me një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë nënshkroi dekretin i cili parashikon formimin e një nisme të re për rritjen e mirëqenies së amerikano-latinëve në vend.
Duke vazhduar këmbënguljen e tij për hapjen e shkollave në vjeshtë pas COVID-19, Trump bëri thirrjen: “Duhet të rikthehemi në shkollat tona dhe të ndalim këtë marrëzi politike. Hapni shkollat”.
Trump ka nënvizuar se kanë shënuar përparim edhe në fushën e shkencës. “Aktualisht ka shumë rrugë trajtimi efektive që përdoren kundër COVID-19 ndërkohë shumë të tjera janë në fazën e zhvillimit. Jemi në rrugën për të prodhuar një vaksinë në kohë rekord dhe besoj se kjo vaksinë do të bëhet e ditur në një kohë shumë shpejt”, tha ai.
Pasi vuri theksin se ekonomia amerikane ka përjetuar ditët më të mira para shfaqjes së COVID-19 presidenti theksoi se ”Amerika sërish do ta marrë veten”.
Sërish rritje rekord e rasteve të reja në SHBA
SHBA-ja regjistroi sot një rekord të ri infektimesh me koronavirus në një ditë, me më shumë se 65 500 raste të regjistruara në 24 orët e fundit, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
Numri total i rasteve të regjistruara në vend që prej fillimit të pandemisë ka arritur tashmë në më shumë se 3,11 milionë. Rekordi i mëparshëm u regjistrua të martën me më shumë se 60 200 raste në një ditë.
Shqetësimi përballë virusit sa vjen dhe rritet në SHBA, që ka njohur që prej disa javësh një rritje të numrit të infektimeve në jug dhe në perëndim të vendit.
Ekspertët i tremben faktit se kurba e të vdekurve do të ndjekë shpejt atë të infektimeve pasi 1 000 persona kanë humbur jetën nga COVID-19 në 24 orët e fundit duke e çuar numrin total të viktimave në 133 195.
“Ne jemi në një situatë shumë të vështirë”, deklaroi eksperti për sëmundjet infektive, Anthony Fauci, i cili këshillon Shtëpinë e Bardhë për krizën e COVID-19.