Partia Demokratike akuzoi të shtunën Bashkinë Tiranë dhe Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) se kishin urdhëruar fshehjen e infektimit të punonjësve të një kopshti me COVID-19.
Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, tha se “infektimi i një punonjëse të Kopshtit Nr.45 në Tiranës u mbajt me vetëdije i fshehur për të mos dëmtuar propagandën e Bashkisë Tiranë”. Zhupa kërkoi nga prokuroria nisjen e hetimeve.
“(Fshehin rastet) Sepse duan që të mos tregojnë se institucionet e tyre në varësi njerëzit preken nga COVID-19. Erion Veliaj do të ruajë propagandën e tij të paprekur. Manastirliu dhe Rama duan të mos tregojnë se kanë dështuar me shëndetësinë, që nuk kanë teste, që kanë vetëm një laborator, i cili është i pamjaftueshëm për të kryer hetime për gjithë popullsinë,” – u shpreh Zhupa.
“Prokuroria ka për detyrë të kryejë një hetim të plotë dhe të vërë para përgjegjësisë të gjithë ata që fshehën me vetëdije infektimin e një punonjëseje me COVID-19. Me ndryshimet e reja në Kodin Penal, përhapja me dashje e sëmundjeve infektive dënohet me burg dhe kjo duhet të jetë masa që duhet të merret për të gjithë ata që vendosën që kopshti të bëhej një vatër infeksioni për familjet e fëmijëve që ishin këtu dhe të punonjësve që ishin këtu. Mendoni që gjithsecili nga ne është i rrezikuar, nëse nuk reagojmë ashtu siç duhet,” – theksoi zëdhënësja e PD-së.
Kopshti Nr.45 në rrugën Irfan Tomini në Tiranë, u mbyll të premten pasi një punonjëse rezultoi se ishte infektuar me COVID-19. Rasti u bë publik edhe në media.