Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kanë replikuar në distancë mbi raportin e fundit të agjencisë së vlerësimit të kreditimit “Moody’s”.
Ministrja Denaj në reagimin e saj tha se, raporti i “Moody’s” vlerëson Shqipërinë të qëndrueshme pavarësisht tërmetit dhe pandemisë dhe akuzon opozitën se me qëndrimet e saj po dëmton ekonominë e vendit.
“Qasjet destruktive të opozitës nuk e ndihmojnë Shqipërinë, shtyjnë larg investitorët, frenojnë hapjen e vendeve të reja të punës dhe ulin mundësitë për shqiptarët më në nevojë. Pavarësisht dy goditjeve të njëpasnjëshme, tërmetit dhe pandemisë, Shqipëria vlerësohet qëndrueshëm në Rishikimin Periodik të Moody’s”, thotë ministrja.
Ajo shton se, në vitin 2019, investimet e huaja direkte ishin për të dytin vit radhazi mbi 1 miliard euro dhe deficiti buxhetor në raport me PBB ishte vetëm -1.9%.
Por anëtarja e kryesisë së PD-së, Jorida Tabaku shprehet se, raporti i fundit “Moody’s”, nuk ka bërë vlerësim pozitiv për vendin tonë dhe nënvizon se, qeveria duhet të pranojë dështimin me masat e marra.
“Raporti i fundit i Moody’s nuk ka bërë asnjë renditje pozitive (si thotë vetë Moody’s sepse nuk ka pasur qellim renditjen) por vlerësimin e ekonomisë. Ashtu si raportet e tjera ekonomike nga FMN tek OECD flasin për një kalbëzim të qeverisë nga korrupsioni. Moneyval flet për pastrimin e parave dhe e ka klasifikuar Shqipërinë në listën gri, Banka Botërore dhe BERZH raportojnë për një krizë të thellë ekonomike dhe recesion me 9% rënie”, thotë ish-deputetja.
Në raportin periodik të kompanisë ndërkombëtare “Moody’s”, ekonomia shqiptare përshkruhet si e “ekspozuar ndaj rreziqeve”. “Moody’s”, e themeluar në vitin 1909 nga John Moody, është një kompani ndërkombëtare financiare, e cila analizon rreziqet ekonomike dhe ofron statistika dhe këndvështrime për vendimmarrje të duhura.
Pjesa e raportit për Shqipërinë nga “Moody’s”:
Profili i kreditimit për Shqipërinë është B1 për shkak të fuqisë ekonomike “ba3” të vendit, që tregon një vend me ekonomi të vogël, të ekspozuar ndaj rreziqeve, me një nivel të ulët të shumëllojshmërisë në krahasim me vendet e tjera, si dhe me një sërë sfidash strukturore.
Institucionet dhe fuqia qeverisëse e Shqipërisë është “ba2”, që vë në dukje hapat e qeverisë për të vazhduar me integrimin në BE, për t’iu adresuar problemeve të vazhdueshme në fushën e vendosjes së rendit ligjor dhe luftës ndaj korrupsionit.
Fuqia fiskale është “b1”, merr marrë parasysh barrën e lartë të borxhit publik dhe detyrimet e mundshme që rrjedhin nga sektori i energjisë, si dhe nga varësia ndaj financimeve jashtë bilancit në formën e PPP-ve për të rritur investimet;
Dhe niveli “ba”, ndjeshmëria ndaj rreziqeve eventuale, të drejtuara nga rreziku i sektorit bankar për shkak të nivelit të lartë të përdorimit të euros, dhe cilësisë së dobët të aseteve në këtë sektor.