Politika Meta kthen ligjin e masave anti-Covid: Të rishikohen dënimet për mediat

Meta kthen ligjin e masave anti-Covid: Të rishikohen dënimet për mediat

Presidenti Ilir Meta ktheu në kuvend ligjin e miratuar nga Kuvendi më 20 maj të këtij viti, lidhur me miratimin e Aktit Normativ për masat kundër përhapjes së koronavirusit.

Një prej arsyeve kryesore të kthimit të ligjit, sipas Metës, janë masat joproporcionale ndëshkimore për mediat, në rast të mos zbatimit të masave parandaluese.

“Kufizimi për ruajtjen e një distance prej 2 metrash midis të ftuarve në studiot televizive është një masë e detyrueshme dhe e mirëpritur. Për këtë qëllim qeveria me këtë ndërhyrje është në përmbushje të një nevoje të ligjshme dhe ajo konsiderohet e përshtatshme.

Ndërkohë që, përveç rregullit, sanksioni i parashikuar paraqet problematikë të theksuar sepse dukshëm është i vendosur në mënyrë shproporcionale.

Vendosja e sanksioneve administrative në rast shkeljeje do të duhej të merrte detyrimisht në konsideratë që thelbi i aktivitetit mediatik të mos cenohet në atë masë sa të shkaktojë pamundësinë e ushtrimit të tij.

Masat ndëshkuese joproporcionale, mund të çojnë në ndëshkimin me pa të drejtë të mediave, jo më nga një organ i pavarur, por nga Ministria përgjegjëse për shëndetësinë që përfaqëson vullnetin politik, duke ndikuar drejtpërdrejtë në cilësinë dhe objektivitetin e informacionit, në këtë periudhë pandemie kur, informacioni objektiv ka shumë rëndësi për përmbushjen e përgjegjësive qytetare.

Ndaj, këto masa ndëshkuese administrative të parashikuara në këtë nen të aktit normativ, duhet të rishikohen nga Kuvendi, për të mos cenuar të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes, të parashikuara në nenet 22 dhe 23 të Kushtetutës”, thuhet në arsyetimin e Presidentit.